
ENNHRI-ja publikoi raportin për gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë për vitin 2021
Prishtinë, 2 gusht 2022 – Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI) ka publikuar raportin vjetor për sundimin e ligjit në Evropë, duke zbuluar një përkeqësim të mëtejshëm të sundimit të ligjit në të gjithë Evropën në krahasim me vitin e kaluar.
Në këtë raport kanë kontribuar 40 shtete të Evropës duke theksuar sfidat e sundimit të ligjit në vendet e tyre dhe veprimet e Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNj) për mbrojtje dhe adresim të rekomandimeve për autoritetet shtetërore dhe politikëbërësit evropianë. Institucioni i Avokatit të Popullit është anëtar i ENNHRI-së që nga viti 2013 dhe ka kontribuar në këtë raport.
Të gjeturat kryesore përfshijnë raportimet nga anëtarët e ENNHRI-së duke zbuluar një përkeqësim të mjedisit të favorshëm për mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe hapësirën e shoqërisë civile në përgjithësi në disa vende të BE-së.
Raporti thekson se në disa shtete Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut përballen me sulme dhe kërcënime ndaj pavarësisë së tyre, mungon bashkëpunimi nga autoritetet kombëtare dhe përballen me burimet e pamjaftueshme financiare dhe njerëzore. IKDNj-ja po ashtu identifikoi përkeqësimin e kushteve të funksionimit për organizatat e shoqërisë civile (OShC) dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Raporti nënvizon po ashtu pengesat e vazhdueshme për qasjen në drejtësi, në lidhje me nivelet e korrupsionit dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të sinjalizuesve. IKDNj-ja raportoi veçanërisht për një rënie të konsiderueshme në lirinë e mediave, pluralizmin në tregun medial dhe sigurinë e gazetarëve.
Në lidhje me këto çështje, IKDNj-ja ka përshkruar një sërë rekomandimesh kryesore për politikëbërësit evropianë dhe kombëtarë. Ato përfshijnë:
- Të sigurohen se IKDNj-ja funksionon si e pavarur dhe efektive në përputhje me Parimet e Parisit dhe një mjedis favorizues për IKDNj-në, në përputhje me Rekomandimin 2021/1 të Këshillit të Evropës për IKDNj-në, me një mandat të fortë, burime adekuate dhe bashkëpunim.
- Të sigurojnë një kornizë mbështetës për mbrojtësit e të drejtave të njeriut që gjithashtu siguron pjesëmarrjen, financimin si dhe mbrojtjen e tyre dhe të OShC-së nga sulmet, duke përfshirë paditë gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes publike (paditë SLAPP).
- Rritja e kontrolleve dhe balancave, duke përfshirë përmes rishikimeve më efektive gjyqësore, konsultimeve dhe vlerësimeve të ndikimit të të drejtave të njeriut, duke angazhuar edhe IKDNj-në në këto procese.
- Sigurimi i emërimeve të drejta dhe administrimi i duhur i drejtësisë, si dhe përmirësimi i qasjes në drejtësi, duke përfshirë grupet e cenueshme.
- Sigurimi i lirisë së shprehjes, qasjes në informacion dhe mbrojtjes së gazetarëve dhe mediave nga sulmet dhe abuzimi i ligjeve ose ngacmimet ligjore, për shembull paditë SLAPP.
- Forcimi i kornizave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, duke përfshirë organe më të forta kundër korrupsionit dhe mbrojtje efektive të sinjalizuesve.
- Sigurimi i ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe mbikëqyrjes demokratike të masave të COVID-19, duke përfshirë kryerjen e vlerësimeve të ndikimit të të drejtave të njeriut – në bashkëpunim me IKDNj-në, OShC-në dhe Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut – duke i kushtuar vëmendje të veçantë situatës së grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara.
- Sigurimi i zbatimit në kohë dhe efektiv i vendimeve të gjykatave rajonale, përkatësisht Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) dhe Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, si dhe zbatimi i rekomandimeve nga institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut.
Shkarkoni raportin e plotë dhe përmbledhjen ekzekutive.