Deklarata e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve
Prishtinë, 1 qershor 2022 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve, shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të ndërmarrin veprimet përkatëse lidhur me të drejtat e fëmijëve për t’u siguruar që çdo fëmijë në Kosovë, gëzon çdo të drejtë.
Edhe sot, fëmijët veçanërisht ata të cilët vijnë nga grupet më të cënueshme siç janë fëmijet me aftësi të kufizuara, fëmijët rom, egjiptian dhe ashkali e fëmijët në situatë rruge përballen me dhunë, diskriminim dhe pabarazi në qasjen në arsim, shërbime sociale e shëndetësore.
Viti 2022 është shpallur edhe Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara ku Institucioni i Avokatit të Popullit është duke e zhvilluar edhe fushatën : “Barazi për të gjithë”, për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, si pjesë e fushatës globale. Duke marrë parasysh vështirësitë me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre është thelbësore që ata të dëgjohen dhe mbështeten nga institucionet.
Në këtë drejtim, Avokati i Popullit rithekson dhe i rekomandon sërish Qeverisë së Kosovës hartimin dhe zbatimin e një plani gjithëpërfshirës të përkrahjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara për shërbimet shëndetësore të garantuara me ligj, duke u fokusuar edhe në programet e rehabilitimit, të terapive psiko-sociale, të imunizimit, të ushqyeshmërisë cilësore, të ndihmës ndaj prindërve si dhe MAShT-it që të rrisë numrin e asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke u bazuar në kërkesat e komunave, përveç tjerash.
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve u shpall për herë të parë në Gjenevë gjatë Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve më 1925. Kjo ditë shënohet për të nderuar fëmijët në mbarë botën për të drejtën e tyre për mbijetesë, zhvillim, mbrojtje nga ndikimet e dëmshme dhe për të marrë pjesë në jetën familjare, kulturore dhe shoqërore.