Avokati i Popullit mori pjesë në publikimin e raportit për shërbimet sociale
Prishtinë, 18 maj 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në publikimin e raportit të organizatës KOMF, që ka të bëjë me monitorimin e tyre mbi procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në vend.
Raporti “Shërbime sociale afër qytetarit” thekson se procesi i decentralizimi të shërbimeve sociale nuk është zbatuar plotësisht as në vitin 2021. Raporti thekson, ndër të tjera, se dy ligjet kryesore që pritet të kenë ndikim në zbatimin e procesit të decentralizimit, Ligji për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, nuk arritën të miratohen as në vitin 2021, edhe pse janë finalizuar.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se institucionet shtetërore përveç krijimit të një infrastrukture ligjore e cila do t’i prinë përmirësimit të shërbimeve sociale, respektivisht ofrimit të qëndrueshëm financiar, duhen të krijojnë edhe mekanizma që do të zbatojnë skemat e shërbimeve sociale.
“Deri më tani e kemi parë se buxheti i ndarë për ndihma sociale, prej saj 96 për qind e tyre shkojnë direkt për paga të kategorive të veçuara sociale, dhe vetëm katër për qind shkojnë për shërbime tjera për qytetarët. Dhe kjo tregon se nuk është duke u zhvilluar një politikë e mirëfilltë për të rritur cilësinë e shërbimeve sociale,” tha z. Qelaj.
Raporti po ashtu thekson se kapacitetet e komunave për menaxhim dhe ofrim të shërbimeve sociale kanë vazhduar të jenë të mangëta sikurse edhe në dy vitet paraprake.