IAP-ja organizoi në Pejë tryezën “Barazi për të gjithë”
Prishtinë, 10 maj 2022 – Avokati i Popullit z. Naim Qelaj së bashku me bashkëpunëtorë organizuan tryezën e radhës me aktivistë të të drejtave të njeriut, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga institucionet lokale në Pejë.
Pjesëmarrësit dëgjuan fillimisht për rolin dhe mandatin e Avokatit të Popullit, për kompetencat dhe për përgjegjësitë të caktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për Avokatin e Popullit.
“Ka qenë një periudhë e rëndë kur të gjithë jemi ballafaquar me pandeminë. Tani me largimin e masave mbrojtëse kemi filluar të takohemi me ju për t’ju dëgjuar dhe për t’i kuptuar problemet që hasni në punën tuaj, por edhe për gjendjen e të drejtave të njeriut në komunën e Pejës.” – tha z. Qelaj.
Ai shtoi se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) është në çdo komunë si pjesë e fushatës për t’i kuptuar sfidat në aspektin e të drejtave të njeriut dhe për të parë se si mund të ndikojë në përmirësimin e rasteve duke qenë zëri i qytetarëve.
Pjesëmarrësit që morën pjesë ishin nga shoqëria civile, aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e OSBE-së – zyra në Pejë, përfaqësuesit e institucioneve lokale, si: mbrojtësit e viktimave të dhunës dhe nga Qendra për Punë Sociale, të cilët theksuan nivelin e lartë të bashkëpunimit me zyrën e IAP-së në Pejë.
Në këtë tryezë, ndër të tjera, u theksua numri i vogël i inspektorëve të punës, ku vetëm tre të tillë përfaqësojnë tërë regjionin e Pejës, dhe është sfidë e madhe të mbulohet tërë ky regjion kur bëhet fjalë për sigurinë në vendin e punës dhe për marrëdhëniet e punës.
Përfaqësuesja e Zyrës për Mbrojtje të Viktimave theksoi se zyra e tyre mbulon regjionin e Pejës vetëm me tre zyrtarë dhe si sfidë u theksua numri i vogël i punëtorëve në këtë zyrë. Zyrtarja nga strehimorja e qytetit për viktima të dhunës theksoi se sfidë për ta është buxheti i ndarë nga shteti vetëm për dhjetë muaj, ndërsa sfidat për familjet dalin për ata dy muajt e tjerë të pa financuar. Sfidë e radhës është edhe zvarritja e proceseve gjyqësore sa u përket viktimave të dhunës në familje.
Përfaqësuesi nga Zyra për Komunitete theksoi se problemi më i madh është papunësia në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe se nuk po respektohet ligji përkatës duke krijuar kështu një pabarazi për këtë komunitet.
Përfaqësuesja nga Qendra për Punë Sociale në këtë qytet tha se ankesat më të mëdha që pranojnë nga familjet është tek kriteri për fëmijët që janë nën moshën 5 vjeç e që në këtë moshë u ndërpritet ndihma sociale.
Avokati i Popullit ka trajtuar raste të ndryshme që ndërlidhen me komunën e Pejës, siç është rasti i ankesës për ndërtimin e hidrocentraleve e që ka nxjerrë në pah mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtën e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe për qasjes në drejtësi.
Avokati i Popullit ka nisur për këtë vit fushatën e institucionit: “Barazi për të gjithë”, për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, si pjesë e fushatës globale.
Ndër të tjerash, fushata do të synojë t’i dëgjojë personat me aftësi të kufizuar për të siguruar informacion të plotë se sa po respektohen të drejtat e tyre; të analizojë zbatimin e ligjeve që janë në fuqi, me fokus për qasje në informacion, në hapësira publike, në drejtësi, në arsim, në punësim dhe në ofrimin e shërbimeve, duke nxjerrë rekomandime të qarta për të gjitha autoritetet vendimmarrëse dhe kompetente.