Avokati i Popullit diskutoi me Kamenicasit për problemet e kësaj komune në lidhje me të drejtat e njeriut
Prishtinë, 28 prill 2022 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj u takua të mërkurën me aktivistë të drejtave të njeriut, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të autoriteteve lokale në komunën e Kamenicës.
Në këtë tryezë u diskutua për sfida të shumta që përballet kjo komunë duke cekur çështjen e arsimit, mungesën e punëtorëve në qendrën për punë sociale, mungesa e punësimit të personave me aftësi të kufizuar dhe mungesa e një strehimoreje për viktimat e dhunës në familje.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se këto tryeza, si pjesë e fushatës “Barazi për të gjithë”, i ndihmojnë institucionit që ai drejton për të kuptuar për së afërmi me problemet dhe për identifikimin e tyre e që Institucioni i Avokatit të Popullit mund t’i trajtojë.
“Qëndrimet tona paraqiten përmes raporteve me rekomandime dhe është përgjegjësi e autoriteteve që t’i përfillim këto rekomandime kur konstatojmë shkelje të të drejtave të njeriut,” tha z. Qelaj.
Ai shtoi se institucionet e vendit duhen të marrin masa për të zbatuar ligjet e sidomos ato ligje që kanë të bëjnë me kategoritë e margjinalizuara, si Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi.