Deklaratë e Avokatit të Popullit për nder të Ditës Botërore të Sindromit Down
Prishtinë, 21 mars 2022 – Me rastin e Ditës Botërore të Sindromit Down, Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh rëndësinë e kësaj dite për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të reflektuar si shoqëri lidhur me gjendjen e të drejtave të këtij komuniteti.
Fëmijët me Sindromën Down dhe familjet e tyre ballafaqohen me probleme të natyrës financiare dhe mungesës sё mbështetjes sё qëndrueshme institucionale për shërbimet tё cilat ata i ofrojnë.
Situata e tyre ёshtё përkeqësuar edhe mё tepër gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Në një raport të veçantë lidhur me emergjencën shëndetësore, Avokati i Popullit ka konstatuar se lidhur me fëmijët me aftësi tё kufizuar nё nivel vendi nuk ka pasur një strategji gjithëpërfshirëse mbështetëse për ta dhe në shumë raste mbështetja dhe ndihma ka qenë e përkohshme, e keq organizuar dhe nuk ka mbuluar të gjithë fëmijët në të njëjtën kohë.
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Qeverisё qё të hartojë dhe të zbatojë një plan gjithëpërfshirës të përkrahjes së fëmijëve në përgjithësi, e të atyre me aftësi të kufizuar në veçanti, për shërbimet shëndetësore të garantuara me ligj, duke u fokusuar edhe në programet e rehabilitimit, të terapive psiko-sociale, të imunizimit, të ushqyeshmërisë cilësore dhe të ndihmës ndaj prindërve.
Ky komunitet duhet të ketë të njëjtat mundësi si të tjerët që të jenë në gjendje për të shkuar në të njëjtat vende, të marrin pjesë në aktivitete dhe të shijojnë të njëjtat përvoja në jetë pa kufizime.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë gjithmonë në përkrahje të këtyre personave dhe prindërve të tyre për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë, me mirëqenie dhe dinjitet.