
Avokati i Popullit mori pjesë në tryezë diskutimi për votimin jashtë vendit
Prishtinë, 12 maj 2021 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë diskutimi e organizuar nga OJQ-ja Germin e cila prezantoi analizën e saj të votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021.
Z.Qelaj tha se ka pranuar shumë ankesa nga qytetarët duke përfshirë verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga ueb faqja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve.
Avokati i Popullit ritheksoi se korniza ligjore e Republikës së Kosovës përkrah ushtrimin e së drejtës së votës jashtë vendit. Ai shtoi se nisur nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, atëherë kur shteti i mundëson zgjedhjet jashtë vendit dhe garanton të njëjtën me kornizë ligjore në fuqi, është detyrim i shtetit të organizojë në mënyrë të mirëfilltë e transparente zgjedhjet jashtë vendit.
Ky raport i Germin, ndër të tjera, paraqiti pengesat në procesin e votimit nga jashtë dhe ofroi të dhënat dhe rezultatet e votimit nga jashtë gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë.