Avokati i Popullit publikon raportin lidhur me detyrimet e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve
Prishtinë, 1 gusht 2019 – Avokati i Popullit, në pajtueshmëri me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor, ka publikuar Raportin Ex. Officio nr. 346/2019, të cilin i’u ka përcjellë autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti ka të bëjë me detyrimet pozitive të shtetit përkitazi me mbrojtjen nga dhuna në familje për të drejtën në jetë, të drejta këto që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe nga neni 2 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.
Ky raport është iniciuar Ex-Officio (sipas detyrës zyrtare) nga Avokati i Popullit, me qëllim që të vlerësoj aplikimin e parimeve kryesore të detyrimeve pozitive të shtetit përkitazi me të drejtën në jetë, përkitazi me rastin e dhunës në familje të datës 22 prill 2019, në lagjen Dardania të Prishtinës, me ç’rast një burrë vrau gruan e tij, gruan e djalit e pastaj bëri vetëvrasje.
Raporti vlerëson realizimin efektiv të të drejtave të personave/viktima të dhunës në familje në Kosovë, në raport me qasjen në kujdes dhe trajtim të kësaj kategorie të personave, duke u ndalur në veçanti tek diskriminimi, pabarazia, dështimi i autoriteteve gjegjëse në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës në familje, si dhe detyrimet e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Këto të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, realizohen në praktikë, përmes ligjeve, politikave dhe strategjive, implementimin e të cilave e ka analizuar ky Raport, por meqenëse Raporti konstatoi se ka shkelje sa i përket përmbushjes se detyrimeve kushtetuese dhe ligjore kundrejt viktimave të dhunës në familje, si dhe detyrimeve te shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve, Avokati i Popullit ka dalë me rekomandime konkrete ndaj autoriteteve gjegjëse lidhur me përmirësimin e gjendjes nga perspektiva e të drejtave të njeriut, me qëllim te ndërtimit të një sistemi në pajtim më parimet e sundimit të së drejtës.
Raporti në fjalë në formatin e tij të plotë, u është përcjellë institucioneve relevante, mediave dhe gjithashtu e gjeni në ueb faqen e IAP-së, në këtë link:
https://oik-rks.org//2019/08/01/raport-me-rekomandime-ex-officion-rasti-nr-346-2019/
Zyra për Informim – IAP