Featured Image

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Zvicrës dhe Kosovës, për Parandalim të Torturës dhe monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë

25/04/2019

Prishtinë, 24 prill 2019 – Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit për monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit, z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, mirëpriti Ambasadorin e Zvicrrës në Republikën e Kosovës Z. Jean-Hubert Lebet, Z. Alberto Acheman, Kryesuesin e Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës, dhe znj. Sandra Imhof, Udhëheqëse e Sekretariatit të Komisionit Kombëtarë Zviceran për Parandalim të Torturës.

Kjo marrëveshje është e një rëndesie të veqantë për të dy institucionet, është marrëveshja e parë ndërkombëtare e kësaj natyre për të dy institucionet, si për Komisionin Kombëtarë Zvicrën për Parandalimin e Torturës dhe poashtu edhe për Institucionin e Avokatit të Popullit, në kuadër të cilit është Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës për Kosovë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, të gjitha palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në çështje të interesit të përbashkët.

Ky Memorandum i Mirëkuptimit përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit Kombëtarë për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit të cilët veprojnë si Mekanizma Kombëtarë për Parandalim të Torturës lidhur me monitorimin e përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Përmes këtij memorandumi, palët bien dakord që të bashkëpunojnë për së afërmi dhe do të konsultohen me njëra tjetrën në çështje të interesit të përbashkët me qëllim të arritjes së qëllimit të përbashkët, që të sigurohen që të kthyerit janë trajtuar mirë nga policia Zvicerane gjatë operacionit të kthimit dhe që ata të trajtohen mirë në mënyrë humane që nga momenti i dorëzimit tek autoritetet policore të Republikës së Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.

Procesi i monitorimit do të përfshijë fazën e dorëzim-pranimit në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, procedurat hyrëse në pikën kufitare të zbatuara nga Policia e Kosovës, shërbimet mjekësore, çdo procedurë tjetër vlerësimi, si dhe dërgimin në qendrën e mbajtjes nëse zbatohet.