Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi tryezë diskutimi lidhur me të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë të drejtat e komunitetit turk në Kosovë. Tryeza me komunitetin turk u zhvillua në qytetin e Prizrenit
Qëllimi i organizimit të tryezës ishte zhvillimi i diskutimit të hapur me qytetarë të komunitetit turk, lidhur me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe adresimin e shqetësimeve të tyre lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut.
Në këtë tryezë morrën pjesë përfaqësues nga Konsullata Turke në Prizren, nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, përfaqësues nga Universiteti i Prizrenit – programi në gjuhën turke, përfaqësues të organizatave joqeveritare, aktivistë e qytetarë të komunitetit turk.
Avokati i Popullit prezentoi rolin dhe mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit të Avokatit të Popullit në drejtim të mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë, me ç’rast pjesëmarrësit patën mundësinë që më për së afërmi të njoftohen lidhur me mënyrat e raportimit në Institucionin e Avokatit të Popullit, të shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ndërsa gjatë diskutimit të hapur, nga pjesëmarrësit në tryezë u paraqitën problemet me të cilat ballafaqohen ata, si: përkthimi jo adekuat i teksteve shkollore në gjuhën turke dhe mungesa e tyre, përdorimi i termeve diskriminuese në librat shkollor si edhe kufizimet lidhur me përdorimin e gjuhës amtare.
Në takim pjesëmarrësit u njoftuan edhe me materialet e fundit të publikuara në gjuhën turke nga IAP-ja, me karakter edukues, vetëdijesues dhe informues mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.