Më 5 korrik 2018, drejtoresha e DBRPDNJ mori pjesë në tryezën me temën “Monitorimin e Zbatimit të Ligjit të Kosovës për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike”

05/07/2018

Më 5 korrik 2018, znj. Valbona Puka Gola, drejtoreshë e Departamentit për Bashkëpunim, Raportim dhe Promovim të të Drejta të Njeriut, në Institucionin e Avokatit të Popullit morri pjesë në tryezën me temën “Monitorimin e Zbatimit të Ligjit të Kosovës për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike”, të organizuar nga ‘Qendra e Gjenevës për kontrollin demokratik të forcave të armatosura’ (DCAF) së bashku me Kuvendin e Kosovës dhe Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Znj. Puka, në tryezë paraqiti qëndrimet e Avokatit të Popullit, lidhur me Ligjin për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike, që të gjitha institucionet shtetërore të themeluara me ligj në procesin e përgjimeve të ligjshëm jo vetëm të kontrollojnë  zbatimin e procedurave të përgjimit, por fillimisht të kenë parasysh respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, ashtu si parashihet me  Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dhe praktikën e  Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ajo vazhdoi që përgjimet mund të bëhen vetëm pasi janë shtjerrur të gjitha masat tjera të hetimit ose të mbledhjes së informacionit, nuk munden të bëhen pa një vendim përkatës gjyqësor, i cili duhet nxjerrur mbi bazën e testit të proporcionalitetit, ashtu sikurse parashihet në Ligji Nr. 05/L -030 Për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike.