Më 10 dhjetor 2017, u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut
Avokati i Popullit dhe Organizatat Joqeveritare të Republikës së Kosovës, nën moton “Çohu për të drejtat e njeriut”, në iniciativë të përbashkët, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor 2017, në Prishtinë, në mënyrë unanime nënshkruan Deklaratën e përbashkët, qëllimi i të cilës është mbrojtja e të Drejtave dhe Lirive Themelore të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.
Më këtë rast për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, u organizua marshi i përbashkët, përmes të cilit iu bë thirrje Institucioneve të Republikës së Kosovës për krijimin e masave efektive për ushtrimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare.
Njëherit u ftuan të gjithë akterët e pushtetit shtetëror, që t‘i fuqizojnë përpjekjet për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nga Qeveria e Republikës së Kosovës, u kërkua që t‘i adresojë me prioritet çështjet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe t‘u ofrojë përkrahje më të fuqishme institucionale në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe organizatave joqeveritare.