Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën për Azilkërkues në Magurë

12/06/2018

Qëllimi kryesor i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave të cilët, bazuar në kërkesën e tyre për azil, akomodohen dhe trajtohen në institucione të dedikuara për këtë kategori.

Gjatë vizitës, personeli i Qendrës i ofroi ekipit monitorues të Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) bashkëpunim të plotë, kështu që ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha hapësirat e Qendrës. Ekipit i u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën, si dhe mundësia për të intervistuar azilkërkuesit, pa prezencë të zyrtarëve të Qendrës.

MKPT nuk ka pranuar ankesa për keqtrajtim fizik apo veprime të cilat do të fyenin dinjitetin e azil kërkuesve të akomoduar në këtë qendër.

Gjatë vizitës në Qendrën për Azilkërkues, MKPT ka vizituar hapësirat, në të cilat ishin akomoduar azilkërkuesit, siç janë: dhomat e intervistimit, dhomat e fjetjes, dhomat familjare, si dhe dhomat e aktiviteteve për të rritur dhe fëmijë, të cilat ishin të pajisura me TV, biblioteka, e cila kishte një numër të vogël të librave, dhomën e aktiviteteve për fëmijë, të pajisur me lodra, dhomën ku mundësohej kryerja e riteve fetare, kuzhinën, e cila ishte e kompletuar me orendi, si dhe një lavanteri, të pajisur mjaftueshëm për kapacitetin e Qendrës.

Të gjitha dhomat në qendër ofronin akomodim të denjë, ngrohje, pastërti dhe ndriçim të mjaftueshëm natyral. Qendra ofronte banja të përshtatshme dhe ujë të ngrohtë pa ndërprerë, ku azilkërkuesit e akomoduar mund të pastrohen sa herë që dëshirojnë. Po ashtu, në oborrin e Qendrës, ishte edhe këndi i lojërave për fëmijë.

MKPT ka pranuar ankesa nga azilkërkuesit përkitazi me ushqimin që iu ofrohet të cilët pohuan se ushqimi i cili u servohet për nga cilësia është i kualitetit të dobët dhe po shërbehet i ftohtë. MKPT ka pranuar ankesa edhe sa i përket orarit të servimit të darkës e cila sipas pohimeve të azil kërkuesve shërbehet herët.

Po ashtu, MKPT ka pranuar ankesa nga azil kërkuesit përkitazi me mbarëvajtjen e kursit të gjuhës shqipe si pjesë e integrimit të azil kërkuesve në shoqëri në Republikën e Kosovës dhe mos dhënien e ndihmës sociale në baza të rregullta.

Përmes këtij raporti me rekomandime, Avokati i Popullit i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme rekomandimet si në vijim:

Të përshtatet orari i ushqimit sipas nevojave të azil kërkuesve, sidomos koha kur shërbehet darka.

Të njoftohet MKPT e Avokatit të Popullit për gjendjen sa i përket dhënies së ndihmës sociale në pajtim me Ligjin për Azil.

Të njoftohet MKPT e Avokatit të Popullit për mbarëvajtjen e kursit të gjuhës shqipe dhe aspekteve tjera të integrimit në shoqëri në Republikën e Kosovës.