Featured Image

Avokati i Popullit me bashkëpunëtorët e tij, vizitoi Shoqatën Down Syndrome Kosova

20/03/2018

Në prag të Ditës Botërore Down Syndrome, z. Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, se bashku me dy Zëvendëset e tij, znj. Edona Hajrullahu dhe znj. Marija Radulovic, si dhe bashkëpunëtorët tjerë, vizitoi sot Shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK), me seli në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite, Drejtoresha e DSK-së, znj. Sebahate Beqiri, e njoftoi Avokatin e Popullit dhe bashkepunëtorët e tij, për punën dhe misionin e organizatës, duke theksuar se përkushtimi kryesor i shoqatës mbetet mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të personave me kete sindrom. Ndërkaq, duke e falenderuar Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) për përkrahje, znj. Beqiri shtoi se për personat e prekur nga Sindromi Down, mbeten ende sfiduese ofrimi i shërbimeve shëndetësore profesionale, gjithëpërfshirja në sistemin arsimor, si dhe integrimi i tyre përmes punësimit.

Avokati i Popullit, z. Jashari, duke e përgëzuar punën dhe kontributin e DSK-së, premtoi përkrahje të plotë te IAP-së në kuadër të nismave dhe aktiviteteve, që kanë për synim përmirësimin e gjendjes dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me Sindromin Down, si dhe kërkoj që fëmijët me aftësi të kufizuara të trajtohen në mënyrë të barabartë në procesin mësimore si dhe në funksion të zbatimit të legjislacionit që garanton shkollim gjithëpërfshirës,

Po ashtu gjatë takimit në të cilin ishin prezent edhe përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Avokati i Popullit, dëgjoi shqetësimet lidhur me dështimin në zbatimin e ligjeve të cilat i garantojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Gjatë vizitës, mysafirët u shërbyen me kafe, nga të rinjtë me Down Syndrome, e që njëherësh punojnë si kameriere në lokalin e hapur në kuadër të organizatës DSK.

Zyra për marrëdhënie me publikun