Featured Image

Aktivitete lidhur me pakon e ligjeve për të drejtat e njeriut

13/11/2015

Foto 1. Institucioni i Avokatit të Popullit me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka mbajtur punëtorinë me temën “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi-Procedurat dhe Autoritetet përgjegjëse- Avokati i Popullit, Gjyqësori dhe akterët e tjerë- Sfidat dhe Mundësitë”. Avokati i Popullit me Ligjin i ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është përcaktuar si mekanizëm për trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe gjithashtu sistemi gjyqësor ka autorizime të gjëra lidhur me zbatimin e këtij ligji. Kjo punëtori ofroi mundësinë e diskutimit të përbashkët në mes të Avokatit të Popullit, gjyqësorit dhe akterëve të tjerë, lidhur me zbatimin dhe sfidat në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe procedurat dhe sanksionet gjatë shtjellimit të rasteve me bazë diskriminimi.

Foto 2. Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur në Prishtinë, tryezën e rrumbullakët me temën “Bashkëpunimi në mes të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) dhe Njësive për të Drejtat e Njeriut (NJDNJ) në nivel komunal“. Në komunat e Republikës së Kosovës funksionojnë Njësitë për të Drejtat e Njeriut (NJDNJ) të cilat janë themeluar në bazë të Udhëzimit Administrativ (UA) nr. 2007/8 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), i ndryshuar dhe plotësuar me UA 2011/01 dhe 2011/04. Ato janë mekanizëm i qëndrueshëm dhe përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivelin komunal, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm, standardet ndërkombëtare si dhe Politikat, Strategjitë dhe Planet e Veprimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Qëllimi i tryezës ishte njoftimi i NJDNJ-ve me shtimin e kompetencave të IAP-së pas miratimit të tre ligjeve bazike për të drejtat e njeriut (Ligji nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Ligji nr. 05/L-020 për barazi gjinore dhe Ligji nr. 05/L-021 për mbrojtjen nga diskriminimi) dhe me punën e deritashme të NJDNJ-ve në komuna, sfidat në punën e tyre dhe planet në të ardhmen si dhe diskutimi për bashkëpunimin e deritashëm në mes të IAP-së dhe NJDNJ-ve në komuna, duke përfshirë sfidat e bashkëpunimit dhe format e bashkëpunimit në të ardhmen.

Foto 3. Organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, në Prizren, është mbajtur tryezë diskutimi me temën “Paraburgimi dhe format tjera alternative” . Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze ishte bashkëpunimi dhe koordinimi ndër-institucional ndërmjet autoriteteve relevante të drejtësisë si: Policisë, Prokurorisë, gjykatës, shërbimit koorrektues dhe atij sprovues. Poashtu në këtë tryezë kishte pjesëmarrës edhe nga zyra e OSCE në Prizren, mbrojta e viktimave, ndihma juridike, shëndeti mendor, shoqëria civile dhe mediat lokale.