Zhvillohet auditoriumi mbi “Bashkëpunimin e shoqërisë civile me Avokatin e Popullit dhe marrëdhëniet ndërkufitare”

06/06/2016

Avokati i Popullit të Shqipërisë organizoi një Auditorium mbi “Bashkëpunimin e shoqërisë civile me Avokatin e Popullit dhe marrëdhëniet ndërkufitare”, në Pogradec. Ky ishte një takim i përbashkët i institucioneve të Ombudsmanit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me përfaqësues të shoqërisë civile në të tre vendet tona.  Në këtë Auditorium morën pjesë  Nënkryetarja e Parlamentit të Shqipërisë znj. Valentina Leskaj, si dhe Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës znj. Aida Derguti .

Avokati i Popullit z. Igli Totozani në fjalën e tij theksoi rëndësinë e institucioneve të Ombudsmanit, që kanë një rol qendror në përmiresimin e procesit te qeverisjes, edhe mandati i tyre është i gjerë dhe përfshin fusha të tilla si të drejtat e njeriut , shteti ligjor, transparenca, antikorrupsioni, etj. Duke e konsideruar shoqerine civile si nje nder partneret e natyrshem ne punen e tyre, në funksion të kryerjes sa me mire të detyrave, Avokatet e Popullit e konsiderojne shume te rendesishem bashkepunimin me organizatat e shumta qe perbejne kete sektor.

Avokati i Popullit , z. Igli Totozani, duke ju referuar praktikës më të fundit në Kosovë,  propozoi që edhe në Shqipëri, Kryeministri një herë në vit të mbaj një raport të gjerë në Parlament për të drejtat e njeriut. “Këto të drejta janë  prioriteti numër  një për çdo shtet dhe qeveri dhe sidomos për vendin tonë dhe axhendën e tij europiane”, tha  z. Totozani.

Një tjetër propozim i artikuluar nga Avokati I Popullit ishte edhe  ngritja e mekanizmave për ndjekje të vazhdueshme të rekomandimeve të këtij institucioni, dhe veçanërisht mundësia për takime periodike të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile me Kryeministrin një herë në dy muaj, për të diskutuar në mënyrë të barabartë me njëri -tjetrin. “Të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, të kemi mundësi t’i përgjigjemi pyetjes:  sa efikas jemi ne për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në këtë vend, pasi i rëndësishëm është rezultati.

Z. Totozani kërkoi që Raporti vjetor i Avokatit të Popullit si një dokument shumë i  rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut, të prezantohet në një seancë plenare në Kuvend, me prezencën edhe të shoqërisë civile.

Pjesë e diskutimit të Avokatit të Popullit z. Igli Totozani ishte edhe trajtimi i çështjeve ekonomike dhe sociale . Z. Totozani theksoi se prej disa kohesh ne kërkojmë që të bëhet publik minimumi jetik, pasi subvencionet dhe ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme, që qytetarët t’i shpëtojnë varfërisë ekstreme.  “Ne- tha z.Totozani – kemi vendosur që ta masim këtë minimum jetik me eksperte ndërkombëtare. Elementi i ndihmës ekonomike është një nga instrumentet që e mban varfërinë në një nivel të caktuar. Por ne kemi arritur në konkluzionin se sistemi social në Shqipëri nuk i mbron të varfërit. Niveli maksimal i ndihmës ekonomike është 80 mijë lekë të vjetra dhe ka shumë familje që jetojnë  me shuma të tilla të pamjaftueshme”.  Ndërsa për politikat penale të ndjekura deri tani, tha se mungesa e aplikimit të dënimeve alternative ka krijuar pasoja sociale. Ka familje që nuk paguajnë dot energjinë elektrike dhe futja në burgje e kryefamiljarëve nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por e përkeqëson atë.  Kësaj i shtohen edhe pasoja të tjera si mbipopullimi në burgje.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit të Kosovës, z. Hilmi Jashari, e konsideroi  të rëndësishme mbajtjen e takimeve të tilla, si dhe përkrahu idenë se Raporti i Avokatit të Popullit edhe në Kosovë  duhet të shqyrtohet në një seancë të hapur para Kuvendit dhe nuk duhet të kalojë në mënyrë  formale, pasi është parakusht për llogaridhënien e administratës publike.

Z. Jashari shprehu vlerësime për vendimin e fundit të ndërmarrë në Kosovë,  për raportimin në Kuvend të  Kryeministrit Kosovar, një herë në vit, posacërisht  për të drejtat e njeriut. Për Avokatin e Popullit të Kosovës është e nevojshme zhvillimi i indikatorëve mbi  të drejtat e njeriut dhe të mos diskutohet më thjesht  në terma të përgjithshëm. Një gjë e tillë tha z. Jashari është element ndihmues  për qeverinë dhe qytetarët, në mënyrë që  të vlerësohet edhe progresi i deritanishëm.

Në Auditorium diskutoi edhe Avokati i Popullit të Maqedonisë z. Ixhet Memeti.  Ai  foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal  dhe angazhimin e përbashkët në zgjidhjen e problematikave me të cilat ndeshen qytetarët në vendet tona.  “Vetëm përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë brenda shoqërisë sonë dhe jashtë kufijve, mund të përmbushet misioni ynë, që ka të bëjë me promovimin dhe mbrojtjen efektive të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha z. Memeti.  Sipas tij, është mirë që në takime të tilla në të ardhmen, të marrin pjesë edhe përfaqësues nga pushteti ekzekutiv dhe lokal, me qëllimin për të avancuar në drejtim të zgjidhjes së problematikave të qytetarëve, mes raporteve më të ngushta me këto institucione.

Lidhur me fluksin e emigrantëve me të cilin u përball Maqedonia, Z. Memeti theksoi se institucioni që ai drejton  e kishte paralajmëruar që disa vite më parë rrezikun për këtë fenomen, por edhe pse kjo çështje u ngrit me shqetësim pushtetet nuk reaguan në kohë si  në nivel lokal ashtu edhe për sa i përket bashkëpunimit kufitar me Serbinë dhe Greqinë. Kriza, – shtoi Avokati I Popullit të Maqedonisë,-  i gjeti në befasi këto pushtete.

Z. Memeti diskutoi edhe për problematika të tjera si trajtimin e personave të privuar nga liria, në burgje apo për gjendjen e qendrave psikiatrike, qendrave për zhvillim etj. “Është shumë e vështirë të identifikosh rreziqet që sjellin abuzime, ndaj  është më mirë t’i parandalosh ato”, u shpreh z. Memeti, duke shtuar se shqetësim mbetet edhe mosndëshkueshmëria e policëve. Ka ende raste të tejkalimit të kompetencave me përdorimin e mjeteve të dhunës nga ana e policisë apo zyrtarëve të tjerë , tha z. Memeti,  sipas të cilit kjo mbetet një sfidë për punën e Avokatit të Popullit, pasi mosndëshkimi  sjell përsëritje të këtyre akteve.

Avokatët e Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ranë dakord që bashkëpunimi mes këtyre tre institucioneve të intensifikohet  në vazhdimësi  me të tilla aktivitete të përbashkëta.

*Huazuar nga ueb faqja e Avokatit të Popullit të Shqipërisë