Featured Image

Avokati i Popullit ka pritur grupin e fëmijëve ROR

11/09/2015

11 shtator 2015 – Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari ka pritur sot në Zyrën Qendrore të IAP-së në Prishtinë, grupin e udhëhequr nga fëmijët ROR – Respect our Rights ( Respekto të Drejtat tona).

Në këtë takim, Avokatit të Popullit i janë dorëzuar të listuara shpresat e fëmijëve të Kosovës deri më vitin 2030, me qëllim të avokimit të përbashkët tek institucionet vendore për realizimin e tyre. Fëmijët e grupit ROR, i themeluar nga organizata joqeveritare Syri i Vizionit dhe nga Save the Children, e njoftuan z. Jashari se shpresat dhe rekomandimet deri më 2030 edhe nga fëmijët e Kosovës do të bëhen bashkë me thirrjet e fëmijëve nga mbarë bota dhe do t’u prezantohen udhëheqësve botërorë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator 2015.

Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari ju ka shprehur mbështetjen dhe përkrahjen e institucionit që ai udhëheq dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë edhe më tutje punën që kanë nisur, duke rikujtuar se kjo është njëra nga mënyrat  që të kemi mbrojtës të devotshëm të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të të drejtave të fëmjëve në Kosovë.

Takimi i realizuar sot me Avokatin e Popullit është pjesë e aktiviteteve që Save the Children ka organizuar në kuadër të fushatës globale Race for Survival ( Garës për Mbijetesë), përmes së cilës fëmijët u kërkojnë vendimmarrësve të angazhohen fuqishëm për t’i dhënë fund vdekjes së parandalueshme të fëmijëve, t’u mundësojnë fëmijëve qasje në arsimim cilësorë dhe të sigurojnë që të drejtat e tyre të jenë të njohura dhe të mbrojtura. Kësaj kampanje i janë bashkangjitur edhe fëmijët nga Kosova, duke i bërë shpresat e tyre pjesë të shpresave të përbashkëta të fëmijëve në gjithë botën.