AVOKATI I POPULLIT TAKOI QYTETARË ROMË, ASHKALI DHE EGJIPTAS NË LIPJAN
17 qershor 2013 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi me bashkëpunëtorët e tij ka mbajtur një takim me qytetarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Komunën e Lipjanit, ku mori pjesë edhe drejtori i Drejtoratit për Arsim në këtë komunë, si dhe përfaqësues nga Forumi “Sud”, Klubi Rinor nga fshati Magure dhe Gadime, OJQ-“Health of All” dhe OJQ ”Zemra e Hapur”. Në këtë takim u diskutua lidhur me edukimin , punësimin dhe zbatimin e ligjeve në jetën e përditshme.
Gjatë takimit, përfaqësues të qytetarëve të këtyre komuniteteve, paraqitën sfidat kryesore me të cilat ata përballen , sidomos në sferën e edukimit. Ata thanë se gjendja aktuale në krahasim me të kaluarën sa i përket arsimimit tregon progres, duke e ilustruar këtë me faktin se tashmë nga këto tre komunitete, gjashtë studentë janë para diplomimit.
Qytetarët e pranishëm në këtë takim theksuan problemin e papunësisë. Ata pohuan se këto komunitete ndjehen të papërfshirë në përqindjen e paraparë për komunitetet pakicë në institucionet publike dhe ofruan shembuj konkret nga rastet kur ata janë ndjerë të diskriminuar sa i përket punësimit. Lidhur me çështjen e diskriminimit në punësim, qytetarët theksuan se i janë drejtuar me një peticion me 500 nënshkrime Komunës së Lipjanit.
Avokati i Popullit i informoi të pranishmit në këtë takim për mandatin dhe kompetencat e IAP-së, duke vënë theksin mbi domosdoshmërinë e zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve, duke respektuar Marrëveshjet dhe Instrumentet Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të cilat janë të zbatueshme drejtëpëdrejtë në Republikën e Kosovës. Ai gjithashtu foli lidhur me punën që bëhet në IAP, duke vënë theksin në punën e Departamentit kundër Diskriminimit, i cili merret me hetimin e të gjitha formave të diskriminimit, përfshirë diskriminimin në bazë të përkatësisë nacionale, gjinisë, besimit fetar, prejardhjes , moshës, përkatësisë politike etj.
Në fund të këtij takimi, z. Kurteshi shprehu gatishmërinë për të trajtuar dhe hetuar çdo ankesë që ata e drejtojnë në IAP, si dhe hapjen e IAP-së për të diskutuar mbi problemet që ata e konsiderojnë se duhen debatuar e shqyrtuar nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.