Avokati i Popullit dhe zëvendësavokatët kanë takuar z. P.Feith dhe z. W. Almhofer
21 mars 2012 – Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi dhe zëvendësit e Avokatit të Popullit Basri Berisha, Isa Hasani, Shqipe Ibraj – Mala, Bogoljub Staletovic dhe Ibrahim Arslan gjatë muajit mars kanë zhvilluar dy takime të ndara,njërin me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe tjetrin me Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë.
Me datë 9 mars 2012 z. Kurteshi dhe zëvendësavokatët kanë pritur Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, z. Werner Almhofer, ndërkaq me 14 mars 2012 ata kanë vizituar Zyrën Ndërkombëtare Civile, ku janë takuar me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil z. Pieter Feith dhe bashkëpunëtorët e tij, z. Ronald Hooghiemstra, Udhëheqës i Njësisë për Çështje të Komuniteteve dhe znj. Suzana Salaji, Zyrtare e të drejtave të komuniteteve.
Edhe pse takimet kishin natyrë kurtuazie, u shfrytëzua mundësia që të prezantohet puna e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP ) si dhe u bisedua për sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky institucion.
Në të dy takimet, u vlerësua rëndësia e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, si dhe puna e angazhimi i IAP-ës.