Ombudspersoni fillon hetimet rreth helmimit me plumb të romëve në Mitrovicën veriore
Pas marrjes së informatave nga burime të ndryshme rreth mënyrës së jetës së komunitetit rom në Mitrovicën veriore ku dyshohet se pjesëtarët e këtij komuniteti jetojnë në një hapësirë me përmbajtje të mëdha toksike, Institucioni i Ombudspersonit ka filluar hetimet ex-officio (te bazuara mbi dyshime).
Informatat në posedim të Institucionit të Ombudspersonit tregojnë se shumica e popullatës që jeton në Mitrovicë kanë sasi të mëdha të plumbit në gjak, duke i përfshirë edhe paqëruajtësitë e NATO-s. Kurse, komuniteti rom është padyshim më i rrezikuari pasiqë jetojnë nëpër vende pranë hedhurinave të plumbit nga miniera e Trepçës. Niveli i plumbit tek ta llogaritet të jetë 3-4 herë më i lartë se tek pjesa tjetër e popullatës.
Ekzistojnë dyshime të supozuara se numri i romëve që kanë vdekur si pasojë e prezencës së madhe të plumbit në gjak është i madh kryesisht tek moshat rinore imuniteti i të cilëve është më i dobët.
Rezultatet e hetimeve nga ana e Institucionit të Ombudspersonit do të bëhen publike për opinionin e gjërë sa më shpejtë që të jetë e mundur së bashku me rekomandimet për organet kompetente për marrjen e masave të duhura.