Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit iu bën thirrje institucioneve të Kosovës për respektimin e lirisë së të shprehurit
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari ka shfaqur brengat serioze pas publikimit në media, veprimet e ndërmarra nga Institucionet e Kosovës ndaj Organizatave jo-qeveritare me rastin e publikimit të biografive të kandidatëve që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007.
Ditë më parë koalicioni i OJQ-ve „Shoqëria civile për parlament të pastër“ i ka publikuar raportet për kandidatët, të cilët ata i konsiderojnë të padenjë, për zgjedhjet e 17 nëntorit, në mesin e të cilëve një numër i kandidatëve dalin nga koalicioni aktual qeverisës në Kosovë. Si kundër përgjigjje ndaj këtij akti, Qeveria e Kosovës gjegjësisht Ministria e pushtetit lokal, ka kryer një kontroll të brendshëm financiar të OJQ-së „Çohu“ .
“Liria e shprehjes së mendimit, tubimit dhe organizimit janë principe themelore të të drejtave të njeriut dhe kanë një rëndësi të veçantë për funksionimin e çdo shoqërie demokratike kudo në botë“ tha Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z. Hilmi Jashari pas aksioneve dhe deklaratave që janë bërë nga institucionet qeveritare pas publikimit të listës së këtyre emrave dhe biografive. Z Jashari poashtu tha se“ Kosova në këto momente duhet të dëshmojë më fuqishëm se kurëdoherë se është në gjendje t’i ruaj, mbrojë dhe t’i respektojë vlerat themelore për shoqëri demokratike të cilën synon të ndërtojë“.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit z Hilmi Jashari poashtu tha se „sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut , kufinjtë e lejushmërisë së kritikës në raport me qeverinë duhet të jenë më të gjërë. Në shoqëritë demokratike, veprimet dhe mosveprimet qeverisëse duhet të jenë objekt kontrolli jo vetëm i gjykatave dhe i legjislativit por edhe i mediave dhe opinionit publik, dhe për këtë arsye Qeveria duhet të jetë e matur në përdorimin e çfarëdo sanksioni“.
Z. Jashari potencon se kritika publike në rrethana të frymës demokratike ku sundon ligji duhet konsideruar si pjesë të pandashme të zhvillimit të shoqërisë që synon të ngrit nivelin e përgjegjshmërisë së pushtetit.
Prandaj, Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit kritikon ndërmarrjen e masave nga ana e institucioneve relevante të cilat mund të kenë ndikim në kufizimin e aftësisë dhe mundësisë së ngritjes të çfarëdo shqetësimi publik nga ana e OJQ-ve.
Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit i bën thirrje të gjitha institucioneve në Kosovës që të respektojnë të drejtat e njeriut të cilat garantohen në bazë të instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht gjatë kohës së zgjedhjeve, dhe për më tepër të nxisin dialogun ndërmjet shoqërisë civile.