Komunikate per media

10/09/2005

Përfaqësuesit e Institucionit të Ombudspersonit ndihmojnë të negociohet përfundimi i grevës së urisë në Qendrën korrektuese për të mitur në Lypjan

Prishtinë, 10 nëntor 2005 – Përfaqësuesit e Institucionit të Ombudspersoni në Kosovë (IOK) vizituan Qendrën korrektuese për të mitur në Lypjan të mërkurën, më 9 nëntor 2005, pasi që kishin marrë informatën që një “grup” i të miturve në këtë qendër kishin hyrë në grevë urie për të protestuar kundër asaj që pohohej të kishte qenë shkelje e të drejtave të tyre nga ana e punonjësve korrektues.
Pas takimit me tre protestues të mitur, të cilët kishin hyrë në grevë urie prej 2 nëntorit 2005, përfaqësuesit e IOK-së deklaruan që protestuesit kishin kërkuar kthimin e gjësendeve të tyre personale që autoritetet e burgut ua kishin marrë gjatë kontrollimeve të rutinës të kohës së fundit. Ata gjithashtu pohuan që kishte pasur keqtrajtime gjatë këtyre kontrollimeve dhe kërkuan zbatimin e drejtë të rregullores për masat përkatëse disiplinore ndaj të miturve.
Në biseda të ndara me secilin nga tre të miturit, përfaqësuesit e IOK-së negociuan fundin e grevës së urisë në mënyrë që t’i vazhdojnë hetimet më të plota mbi pohimet e tyre. Sot, rreth orës 10 të mëngjesit, nga Zyra e IOK-së gjithashtu u konfirmua që greva e urisë me të vërtetë ka përfunduar.
Përfaqësuesit e IOK-së pritet që të takohen me Drejtorin e Qendrës korrektuese për të mitur në Lypjan më vonë gjatë ditës së sotme.