Featured Image

Deklaratë për 20 Nëntorin – Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijës

20/11/2026
Prishtinë, 20 nëntor 2026 – Me rastin e 20 Nëntorit, Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijës, sot vizituam fëmijët në qendrat burimore, për të shënuar këtë ditë duke ua kushtuar vëmendjen atyre që kanë nevojë për përkushtim dhe mbështetje të veçantë institucionale. Nga stafi u vizituan keto qendra:
• Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” – Pejë
• Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi” – Prishtinë
• Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Tereza” – Mitrovicë
• Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Lef Nosi” – Prizren
• Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Tereza” – Prizren
20 Nëntori shënon përvjetorin e miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, dokumentit themelor që riafirmon se çdo fëmijë, pa asnjë dallim, gëzon të drejta të barabarta dhe meriton dinjitet, mbrojtje, mundësi dhe pjesëmarrje të plotë në shoqëri.
Këtë vit, Avokati i Popullit ka dashur t’u kushtojë vëmendje të veçantë fëmijëve që vijojnë mësimin në qendrat burimore, për të theksuar se të drejtat e fëmijëve nuk duhet të mbeten vetëm parime në dokumente, por duhet të përkthehen në mundësi konkrete në jetën e përditshme të secilit prej tyre.
Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, për qasje të barabartë, për mbështetjen e nevojshme dhe, mbi të gjitha, për t’u dëgjuar dhe për t’u trajtuar me dinjitet. Qendrat burimore luajnë një rol të rëndësishëm në realizimin e këtyre të drejtave, por përgjegjësia për një shoqëri gjithëpërfshirëse është e të gjitha institucioneve dhe e gjithë shoqërisë.
Përmes kësaj vizite, dëshiruam të përcjellim një mesazh të qartë: asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pas dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i harruar. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve kërkon vëmendje çdo ditë të vitit, jo vetëm më 20 Nëntor.