Institucioni i Avokatit të Popullit shënoi 26-vjetorin e themelimit
Prishtinë, 19 nëntor 2026 – Institucioni i Avokatit të Popullit mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe partnerë e bashkëpunëtorë për të shënuar përvjetorin e 26-të të themelimit.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj foli për rrugëtimin e institucionit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për sfidat me të cilat është përballur institucioni ndër vite.
Ai tha se institucioni ka vazhduar angazhimin për mbrojtën dhe promovimin e të drejtave të njeriut përkundër që vitet e fundit kanë qenë sfiduese për funksionalizimin dhe konsolidimin e institucioneve, si pasojë e proceseve zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme.
“Dhe në këtë punë tonë të përditshme ne kemi treguar që nuk mjafton vetëm të jetë garantuar me Kushtetutë e me ligj mënyra e funksionimit tonë të rëndësisë së veçantë të pavarur. Është tepër e rëndësishme të arrihet të dëshmohet që të ketë rol të fortë, të mbështetur në fakte objektive dhe të bëhet pasqyrë e qytetarit të Republikës së Kosovës sa herë që përballet me situata konkrete të cilat e prekin atë si qytetar”, tha Qelaj.
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, në adresimin e saj tha se të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj, por duhet të mbrohen në çdo rast, dhe se çdo qytetar duhet ta dijë se kur i shkelën të drejtat, ka një institucion ku mund t’i drejtohet.
“Në këtë drejtim, rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë rëndësi të veçantë. Ato janë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim. Vlera e tyre matet me zbatimin dhe me ndryshimet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve. Zbatimi i tyre ndihmon në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit,” tha Presidentja.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, ritheksoi se institucionet publike kanë përgjegjësi që rekomandimet e Avokatit të Popullit t’i shqyrtojnë me seriozitet dhe të veprojnë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
“Një institucion publik nuk përmbush domosdoshmërisht përgjegjësinë e tij vetëm duke konstatuar se një rekomandim nuk ka fuqi juridike të një vendimi gjyqësor. Institucionet publike duhet t’i shqyrtojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, sepse kultura e kushtetutshmërisë nuk ndërtohet vetëm përmes mekanizmave të detyrimit, por edhe përmes gatishmërisë për të reflektuar dhe korrigjuar mangësitë”, tha Rexhepi.
Fjalë rasti pati edhe drejtoresha ekzekutive në Community Development Fund (CDF), znj. Nermin Mahmuti, e cila foli për bashkëpunimin ndër vite me IAP-në në projekte të ndryshme të rëndësishme për shumë komunitete.
“26-vjetori është një mundësi për të vlerësuar kontributin e këtij institucioni në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, por edhe për të reflektuar mbi nevojën që këto të drejta të jenë pjesë e realitetit të përditshëm të qytetarëve”, tha ajo.