U mbajt tryezë e diskutimit me përfaqësuesit e komunave të regjionit të Gjakovës për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit
Prishtinë, 11 nëntor 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mblodhi përfaqësues të komunave të Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit për të diskutuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve të tij për vitet 2024-2026. Tryeza u organizua në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë.
Në fjalën e tij hyrëse, Avokati i Popullit theksoi se është i lumtur që takohet për të disa herë gjatë mandatit të tij me përfaqësues të komunave të regjionit të Gjakovës, të niveleve të ndryshme, për të diskutuar për çështjet që preokupojnë qytetarët e këtyre komunave.
Ai u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e institucioneve lokale me Institucionit të Avokatit të Popullit, duke kërkuar më shumë angazhim për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin në nivelet më të larta.
Megjithatë, z. Qelaj shtoi se autoritetet publike lokale duhen të reflektojnë më shumë në rekomandimet e Avokatit të Popullit si dhe të kthejnë përgjigje me kohë në kërkesat e tij.
Përfaqësuesja e qendrës rajonale të OSBE-së në Pejë, znj. Yulia Safranova, tha se bashkimi i përfaqësuesve nga nivelet vendore dhe qendrore ndihmon në përmirësimin e komunikimit, qartësimin e përgjegjësive dhe forcimin e koordinimit vendor e rajonal. Ajo shtoi se këto takime janë veçanërisht të rëndësishme në rastet kur mbrojtja e të drejtave nuk varet vetëm nga standardet ligjore, por edhe nga zbatimi efektiv në praktikë.
Një përmbledhje u prezantua për zbatimin e rekomandimeve për rajonin e Gjakovës, duke përfshirë vitet 2024 dhe 2025, gjersa për vitin 2026 nuk u identifikua asnjë rekomandim i publikuar për këtë rajon.
Për vitet 2024-2025, Avokati i Popullit ka nxjerrë 7 raporte me rekomandime për rajonin e Gjakovës, gjersa gjithsej janë 45 rekomandime të dhëna për autoritetet publike, duke përfshirë disa kategori të të drejtave kushtetuese, bazuar në ankesat e qytetarëve, përfshirë të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, mjedisi, e të tjera.
Përfaqësuesit e komunave respektive vlerësuan këtë takim duke theksuar fuqizimin e bashkëpunimit me Institucionin e Avokatit të Popullit që është thelbësore në përmirësimin e miradministrimit, shërbimeve publike, duke ndikuar kështu në rritjen e besimit të qytetarëve.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të mbajë tryeza edhe nëpër regjionet tjera me diskutimet për rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qeverisje më të mirë.