Featured Image

Avokati i Popullit në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen ndaj autoriteteve për seriozitetin e mbrojtjes në çështjen e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore

30/10/2026

Prishtinë, 30 tetor 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, raportet e punës për vitet 2023, 2024 dhe 2025. Gjatë prezantimit, u trajtuan aktivitetet e institucionit, puna në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe çështjet kryesore të evidentuara gjatë periudhës raportuese.

Në fillim të takimit u përkujtua vdekja e gruas së vrarë së fundmi në Pejë, si pasojë e dhunës në familje, ndërsa Avokati i Popullit konfirmoi në pyetjet e deputetëve se ka nisur hetime sipas detyrës zyrtare.

Ai shtoi se ka nxjerrë raporte për vrasje të dy grave që nga viti 2021 dhe 2022, duke konstatuar dështimet e shtetit në përmbushje të obligimeve pozitive. Si faktorë kryesorë që kanë ndikuar në cenimin e kësaj të drejte janë evidentuar: dështimi i hallkave institucionale në marrjen e masave adekuate dhe proporcionale ligjore për mbrojtje të së drejtës për jetë dhe mbrojtjen nga dhuna në familje; vlerësimin e rrezikut dhe masave për mbrojtjen e viktimës. Ai po ashtu përkujtoi deputetët se këto raporte me rekomandime ishin pjesë e raportit vjetor të vitit 2022, për të cilin raport Kuvendi i Kosovës në vitin 2024 pati votuar kundër.

“Një prej qëndrimeve të mija dhe rekomandimeve që e kam dhënë është se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si interes nacional dhe jo të diskutohet vetëm në nivel të rasteve të izoluara. Për këtë besoj jemi vonë, por më mirë të fillojmë tash”, tha Avokati i Popullit para deputetëve.

Duke u ndërlidhur me procesin e votimit të raportit të Avokatit të Popullit nga ana e Kuvendit të Kosovës, z. Qelaj theksoi se në raportin e vitit 2024, ai pati paraqitur një qëndrim të përsëritur nga Institucioni i Avokatit të Popullit që të ndryshohet praktika e tillë. Avokati i Popullit theksoi se një dokument që duhet të miratohet ose refuzohet nga Kuvendi i Kosovës, bie ndesh me garancitë kushtetuese të pavarësisë së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare për Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNj).

Avokati i Popullit bëri krahasimin e raporteve vjetore për vitet 2023, 2024 dhe 2025 duke thënë se shumë prej problemeve të të drejtave të njeriut nuk janë të izoluara në një vit, por se ato përsëriten ndërsa në disa fusha raportet e mëvonshme evidentojnë se rekomandimet dhe masat institucionale nuk kanë prodhuar ende ndryshimin e nevojshëm.

Z. Qelaj theksoi se ka publikuar për tre vite me radhë raporte që kanë të bëjnë me zbatimit e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Ai tha se gjetjet e këtij raporti tregojnë se Republika e Kosovës vazhdon të ketë një kornizë ligjore të konsoliduar në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi, e harmonizuar në masë të konsiderueshme me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv dhe i qëndrueshëm i kësaj kornize ligjore në praktikë.

Avokati i Popullit po ashtu u përgjigj edhe në pyetjet e deputetëve të cilët u interesuan për numrin e ankesave dhe statistikat në përgjithësi, raportin për Dhomat e Specializuara, çështjen e diskriminimit e të tjera.