IAP po merr pjesë në Konferencën e 18të Ndërkombëtare të Ombuds-ve të Forcave të Armatosura
21 tetor 2026 – Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zëvendës Avokati i Popullit, znj. Majlinda Sinani Lulaj, po merr pjesë në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombuds-it për Forcat e Armatosura (#18ICOAF), që po mbahet në Sydney, Australi.
Në Konferencën e bashkëorganizuar nga DCAF dhe Inspektori i Përgjithshëm i Forcës së Mbrojtjes Australiane, po marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës nga anë e mbanë bota.
Punimeve të Konferencës u parapriu pritja në “Government House”, nga Guvernatorja e Uellsit të Ri Jugor (NSW), znj. Margaret Beazley.
Konferenca e këtij viti, për dy ditë radhazi, vuri në qendër të punimeve, rolin, mbikëqyrjen dhe përgatitjen që kanë “Institucionet e Ombuds-it Ushtarak në Mjedisin Gjeostrategjik në Zhvillim”.
Konteksti gjeopolitik, ndikimi i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, zhvillimi teknologjik, përfshirë inteligjencën artificiale dhe sistemet autonome në ushtri, etj., u veçuan si disa nga segmentet kyçe që po riformësojnë forcat e armatosura dhe kornizat që i qeverisin ato.
Kundrejt këtyre zhvillimeve, institucionet mbikëqyrëse, sikur institucionet e Ombuds-ve me mandat të përgjithshëm mbikëqyrës, apo Komisionerët me mandat specifik për mbikëqyrjen e forcave të armatosura, sfidohen në përpjekjet e tyre për të mbrojtur balanset e domosdoshme ndërmjet sigurisë dhe transparencës e llogaridhënies, si parakushte në funksion të gëzimit, respektimit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në kontekst të vetë ngjarjes, theksi u vu gjithashtu te kushtet e punës dhe mirëqenia e personelit të uniformuar, në rrethana riformësimi të shumëfishtë të mjedisit të punës, ku përmbushin detyrat e tyre çdoditshëm.
Perspektivat nga kontekste të ndryshme rajonale, politike dhe ushtarake, gjatë punimeve të Konferencës, ofruan një platformë shkëmbimi përvojash e mësimesh, në funksion të asaj se si mbikëqyrja mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive një mjedisi sigurie në zhvillim.