Featured Image

Avokati i Popullit prezantoi raportin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar

14/10/2026

Prishtinë, 14 tetor 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi raportin lidhur me qëndrimet dhe shqetësimet e tij për funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me theks në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, garancitë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Në këtë prezantim morën pjesë përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të Ambasadave të akredituara në vend, Këshillit të Evropës, zyrës së BE-së, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa Avokati i Popullit që në fillim sqaroj se në takim ka qenë e ftuar edhe kryetarja e DhSK-së e cila nuk e ka parë si të përshtatshme pjesëmarrjen e saj.

Raporti pasqyron aktivitetet e Avokatit të Popullit nga viti 2021, vizitat dhe takimet e realizuara, shqetësimet e ngritura nga palët, si dhe vlerësimin paraprak të pavarur të përgatitur nga Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), organizatë me përvojë në monitorimin e gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare.

Avokati i Popullit theksoi se qëllimi i raportit është vlerësimi i respektimit të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe garantimin e këtyre standardeve që janë thelbësore për të gjithë të përfshirët në proces, përfshirë të akuzuarit dhe viktimat, si dhe për besueshmërinë dhe integritetin e drejtësisë , duke mos u lëshuar në  vlerësimin e rasteve që janë në procedurë dhe as me vlerësimin e vendimeve të gjykatës.

Avokati i Popullit ka ngritur në vazhdimësi  shqetësimet e tij  lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mundësitë për lirim të përkohshëm, pranueshmërinë dhe besueshmërinë e provave, barazinë e armëve ndërmjet mbrojtjes dhe prokurorisë, si dhe të drejtën për një gjykatë kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të themeluar me ligj.

Vëmendje e veçantë në raport i kushtohet mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si dhe mungesës së mekanizmave të pavarur të monitorimit të funksionimit të Dhomave të Specializuara. Sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit, këto çështje kërkojnë adresim institucional dhe sqarime të mëtejshme, në mënyrë që publiku dhe institucionet e Republikës së Kosovës të kenë mundësi të vlerësojnë respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

“Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Avokati i Popullit vlerësoi se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë rol aktiv në adresimin e shqetësimeve të identifikuara pranë institucioneve përkatëse ndërkombëtare. Po ashtu, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në kuadër të përgjegjësive të tyre, të shqyrtojnë mundësitë për krijimin e një mekanizmi të pavarur për vlerësimin e funksionimit të Dhomave të Specializuara.

Në mesin e rekomandimeve, Avokati i Popullit kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Po ashtu, raporti rekomandon që shqetësimet e identifikuara t’u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Avokati i Popullit ritheksoi se e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, respektimi i të drejtave themelore dhe llogaridhënia institucionale janë parakushte për drejtësi të besueshme. Këto standarde janë të rëndësishme si për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, ashtu edhe për të drejtat e viktimave dhe besimin e publikut në procesin e drejtësisë.

Lexoni Raportin e plotë -> https://bit.ly/4z74WaV