Featured Image

U mbajt takimi i Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile

30/09/2026

Prishtinë, 30 shtator 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, priti në takim përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, anëtarë të Forumit për Dialog ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) dhe Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC).

Avokati i Popullit prezantoi aktivitetet dhe angazhimet e Institucionit në kuadër të objektivave të përcaktuara nga Plani i Punës së Forumit për Dialog, duke veçuar fushat në të cilat është punuar dhe rezultatet e arritura. Prezantimi shërbeu si bazë për një diskutim të hapur dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me çështjet e adresuara dhe me hapat e mëtejshëm për forcimin e bashkëpunimit.

Diskutimi u përqendrua në çështje të ndryshme me ndikim në të drejtat dhe liritë e njeriut, duke ofruar mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe identifikimin e fushave ku kërkohet angazhim i mëtejshëm. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht në identifikimin e hershëm të problematikave dhe në adresimin e tyre përmes mekanizmave institucionalë dhe dialogut të përbashkët.

Objektivat kryesore të forumit janë: Avancimi i respektimit dhe i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore në Kosovë; Identifikimi dhe adresimi i rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut; Promovimi i punës së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe i Organizatave të Shoqërisë Civile që punojnë në çështjet e të drejtave të njeriut; dhe avokimi i përbashkët në zbatimin e rekomandimeve të IAP-së dhe të OShC-së.