Featured Image

Avokati i Popullit priti në takim gjyqtarët e sapoemëruar

14/09/2026

Prishtinë, 14 shtator 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, së bashku me bashkëpunëtorë, priti në takim gjyqtarët e sapoemëruar, me të cilët bashkëbisedoi për të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë, si dhe rolin dhe punën e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Në fillim të takimit, Avokati i Popullit foli për historikun e Institucionit, duke theksuar se gjatë viteve Institucioni është konsoliduar dhe ka forcuar gjithnjë e më shumë rolin e tij në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Avokati i Popullit prezantoi më tej mandatin, rolin dhe aktivitetet e Institucionit, me theks të veçantë në çështjet që ndërlidhen me sistemin gjyqësor. Ai theksoi rëndësinë e gjyqësorit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në garantimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në këtë kontekst, Avokati i Popullit u ndal edhe te ankesat e qytetarëve që lidhen me zvarritjen e procedurave gjyqësore, duke theksuar nevojën për rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe për garantimin e një drejtësie në kohë të arsyeshme.

Gjatë takimit, Avokati i Popullit shpjegoi edhe mënyrat e tjera përmes të cilave Institucioni ndërvepron me sistemin e drejtësisë, përfshirë paraqitjen e opinioneve në cilësinë e mikut të gjykatës (Amicus Curiae), dhënien e rekomandimeve për institucionet publike lidhur me zbatimin e detyrimeve në fushën e ndalimit të diskriminimit dhe garantimit të barazisë, si dhe referimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese.

Gjyqtarët e sapoemëruar patën mundësinë të bashkëbisedojnë me Avokatin e Popullit, si dhe të parashtrojnë pyetje lidhur me fushat e tjera që janë pjesë e mandatit të Institucionit, me theks të veçantë në çështjet që ndërlidhen me gjyqësorin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në përmbyllje të takimit, Avokati i Popullit uroi gjyqtarët e sapoemëruar për detyrën e re, duke u dëshiruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive të tyre dhe në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve.