Featured Image

Avokati i Popullit vizitoi Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës

03/08/2026

Prishtinë, 3 gusht 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj takoi drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), z. Elvir Azizi, me të cilin diskutoi rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të njeriut.

Në takim u trajtuan çështjet e mbrojtjes shëndetësore, e drejtë e garantuar me nenin 51- të të Kushtetutës, sistemit shëndetësor, qasjen e qytetarëve në shërbime të sigurta dhe efektive shëndetësore, si dhe respektimin e standardeve për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit nëpërmjet formave të promovimit të shëndetit dhe aktiviteteve parandaluese, si dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore.

Avokati i Popullit theksoi detyrimet e SHSKUK për zbatimin e obligimeve të dala nga Ligji për Shëndetësi, për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të gjithë qytetarëve dhe banorëve të vendit, duke u garantuar qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor.

Z. Qelaj njoftoi të pranishmit lidhur me çështjet dhe problematikat që janë trajtuar dhe ato që janë duke u trajtuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, që lidhen me të drejtat e pacientëve dhe ato të fushës së shëndetësisë, si: mos funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), mungesës së funksionimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore, qasjes në shërbime shëndetësore, mungesa e barnave nga lista esenciale, dhe trajtimi i pabarabartë dhe me dinjitet të pacientëve. Ai nënvizoi gatishmërinë e Institucionit të Avokatit të Popullit për të vazhduar bashkëpunimin me SHSKUK- në, në adresimin e sfidave që prekin të drejtat e njeriut, dhe avancimit të standardeve dhe shërbimeve që lidhen me sistemin shëndetësor.

Z. Elvir Azizi njoftoi për përpjekjet e SHSKUK-së për avancimin e shërbimeve ndaj pacientëve në pajtim me parimin e gjithëpërfshirjes dhe jo diskriminimit; arritjes së standardeve të barabarta në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët e vendit.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në çështjet me interes të përbashkët dhe me synim të përmirësimit të respektimit të drejtave të pacientëve dhe rritjes së besimit të qytetarëve në institucionet shëndetësore.