Featured Image

Publikohet raporti për sundimin e ligjit në Evropë, Institucioni i Avokatit të Popullit raportoi për Kosovën

31/07/2026

Prishtinë, 31 korrik 2026 – Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI) ka publikuar raportin për gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë, në të cilin raport ka kontribuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit për Kosovën.

Raporti paraqet një vlerësim gjithëpërfshirës të gjendjes së të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, qeverisjes demokratike, hapësirës qytetare dhe llogaridhënies institucionale në Kosovë. Raporti thekson si zhvillimet pozitive ashtu edhe sfidat e vazhdueshme sistematike që ndikojnë në mbrojtjen e të drejtave themelore.

Raporti arrin në përfundimin se Institucioni i Avokatit të Popullit vazhdon të veprojë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke ruajtur rolin e tij qendror në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Raporti thekson përparim në dialogun institucional dhe angazhimin me proceset evropiane.

Megjithatë, mbeten sfida të rëndësishme, veçanërisht niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga autoritetet publike, mbikëqyrja e pamjaftueshme parlamentare dhe vonesat në shqyrtimin e Raporteve Vjetore të Institucionit nga Kuvendi i Kosovës. Raporti nënvizon se këto mangësi vazhdojnë të dobësojnë mekanizmat e llogaridhënies dhe të zvogëlojnë efektivitetin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Në fushën e sundimit të ligjit, Avokati i Popullit identifikon shqetësime të vazhdueshme sistematike, duke përfshirë zbatimin jo konsistent të të drejtave të pensioneve, mangësitë në zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit, procedurat e zgjatura gjyqësore, qasjen e kufizuar në drejtësi dhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme parlamentare. Raporti kontribuues i Institucionit të Avokatit të Popullit gjithashtu ngre shqetësime në lidhje me lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe nevojën për reformë legjislative transparente.

Lidhur me hapësirën qytetare, raporti konstaton se ndërsa Kosova vazhdon të ofrojë një mjedis të hapur për shoqërinë civile, organizatat dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut preken gjithnjë e më shumë nga reduktimet e financimit ndërkombëtar dhe mbështetja e kufizuar financiare vendase. Këto zhvillime kërcënojnë qëndrueshmërinë e organizatave të shoqërisë civile dhe aftësinë e tyre për të ofruar shërbime thelbësore dhe për të avokuar për të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit bën thirrje për mbështetje më të fortë institucionale dhe mekanizma të qëndrueshëm financimi për shoqërinë civile.

Raporti shqyrton më tej ndikimin në rritje të dezinformimit në proceset demokratike, duke vënë në dukje se të drejtat për privatësi dhe pjesëmarrje në jetën publike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve, janë ndër më të prekurat. Ai thekson nevojën për rregullim më të fortë të medias, përmirësim të edukimit për media, dhe koordinim të shtuar institucional për të adresuar në mënyrë efektive dezinformimin duke respektuar standardet e të drejtave të njeriut.

Institucioni i Avokatit të Popullit përsërit se forcimi i llogaridhënies demokratike, përmirësimi i zbatimit të rekomandimeve të tij, rritja e mbikëqyrjes parlamentare dhe sigurimi i pavarësisë së mjaftueshme institucionale mbeten thelbësore për avancimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Institucioni u bën thirrje autoriteteve kombëtare, si dhe partnerëve evropianë dhe rajonalë, të vazhdojnë të mbështesin reformat që përforcojnë transparencën, llogaridhënien, barazinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave themelore.

Në anën tjetër, Rrjeti Evropian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI) ka përmbledhur në një raport gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë, duke përfshirë zhvillimet nga viti 2025, por edhe tema që variojnë nga mjedisi i favorshëm i IKDNJ-ve dhe hapësira e shoqërisë civile, deri te dezinformimi dhe proceset e hartimit të ligjit. Duke u bazuar në këto, rekomandimet u drejtohen autoriteteve shtetërore dhe aktorëve rajonalë për të forcuar sundimin e ligjit.

Sipas raportit, shumica e IKDNJ-ve evropiane raportuan sfida strukturore që ndikojnë në mjedisin e tyre të favorshëm, duke përfshirë një mungesë të vazhdueshme të fondeve dhe burimeve të mjaftueshme. Raporti thekson se rekomandimet e IKDNJ-ve nuk gjejnë zbatim të mjaftueshëm nga autoritetet kombëtare, si dhe hasin në pengesa në qasje në informacion. Disa nga IKDNJ-të kanë raportuar për fushata dhe sulme dezinformuese kundër tyre, kundër udhëheqjes dhe stafit të tyre.

Disa IKDNJ kanë raportuar për sfidat e shoqërisë civile të cilave po u ngushtohet hapësira për të funksionuar, për shkak të mungesës së fondeve. Ndërsa, të tjerë kanë raportuar edhe për sulme ndaj mbrojtësve të të drejtave të njeriut, si dhe kriminalizimin e aktiviteteve të tyre, duke i penguar ata të vepronin lirshëm dhe në mënyrë të sigurt.

Raporti vëren se qeverisja demokratike po vihet gjithnjë e më shumë në provë në të gjithë Evropën. Dezinformimi është një çështje shumë planëshe që po dëmton besimin në institucione dhe gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut. Në disa shtete evropiane, fushatat e huaja të dezinformimit janë bërë gjithashtu një çështje sigurie.

Lexoni raportin e plotë të ENHHRI -> https://bit.ly/4x8jXrc

Lexoni raportin për Kosovën https://bit.ly/3RZhNvj