Featured Image

Avokati i Popullit takoi përfaqësuesit e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës

15/07/2026

Prishtinë, 15 korrik 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, priti në takim përfaqësuesin e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, z. Lulzim Shehu me të cilin diskutuan për çështje që lidhen me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me theks të veçantë në lirinë e fesë dhe të besimit.

Avokati i Popullit ritheksoi përkushtimin e institucionit për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai vlerësoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm me bashkësitë fetare si pjesë e përpjekjeve për forcimin e respektimit të të drejtave themelore dhe promovimin e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

Nga ana e tij, z. Shehu falënderoi Avokatin e Popullit për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me Institucionin e Avokatit të Popullit në çështje që kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e harmonisë ndërfetare në vend.