Featured Image

Tryezë diskutimi në Pejë për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit

02/07/2026

Prishtinë, 2 korrik 2026 – Avokati i Popullit organizoi një tryezë diskutimi e cila mblodhi përfaqësuesit e regjionit të Pejës, respektivisht të komunës së Pejës, Deçanit, Junikut, Klinës dhe Istogut.

Ky takim u organizua me qëllim të reflektimit të përbashkët mbi gjetjet kryesore dhe shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit drejtuar autoriteteve lokale për periudhën 2024–2026.

Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se për këtë periudhë janë paraqitur 72 rekomandime të dala nga raportet dhe letrat e rekomandimit drejtuar institucioneve të rajonit të Pejës. Nga ky numër, 30 rekomandime ose në 42 % prej tyre, Avokati i Popullit ka pranuar përgjigje, ndërkaq në 42 rekomandime ose 58 % të tjera nuk ka marrë përgjigje nga institucionet relevante.

Disa nga raportet e Avokatit të Popullit kanë të bëjnë me ndikimin e peshës së çantave tek fëmijët e shkollave fillore (cikli 1-5), dhe rrjedhimisht rekomandimi për funksionalizimin e dollapëve në shkolla. Raportet tjera me rekomandime ndërlidhen me arsimimin dhe aftësimin gjithëpërfshirës tё personave me aftësi të kufizuara pёr qasjen në tregun e punës; raporti tjetër ka të bëjë me përgjegjësinë e institucioneve në raport me dhunën në shkolla; po ashtu një  letër rekomandim i nxjerrë për këto autoritete lokale ka të bëjë me cenimin e së drejtës për shkollim, lidhur me mos ofrimin e transportit për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Avokati i Popullit theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me qëllim të ngritjes së përqindjes së zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, të cilat ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve por ndikojnë edhe në përmirësimin e miradministrimit lokal.

Ai tha se situata me zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivelin e duhur, ndërsa shtoi se i kupton edhe sfidat e autoriteteve komunale, e njëra nga sfidat është edhe vakumi i institucioneve qendrore.

Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe përfaqësuesit e Komunave Deçan, Istog, Klinë dhe Junik njoftuan për zbatimin e rekomandimeve, dhe po ashtu theksuan përkushtimin e tyre për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, veprimet e ndërmarra në drejtim të rekomandimeve që ende janë në fazë të zbatimit, si dhe sfidat e zbatimit.

Përkitazi me rekomandimet e Avokatit të Popullit, në tryezë kontribuuan edhe Policia e Kosovës, autoritetet lokale të arsimit, përfaqësues të qendrave për punë sociale, dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Kjo tryezë është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.