Featured Image

Avokati i Popullit prezantoi planin e veprimit të punës me organizatat e shoqërisë civile

30/06/2026

Prishtinë, 30 qershor 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj së bashku me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile ka prezantuar Planin e Veprimit të Forumit për Dialog 2026/2027, si dhe u diskutua rreth mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile për t’i zbatuar dhe fuqizuar shërbimet profesionale të cilat i ofrojnë.

Forumi për Dialog ndërmjet IAP-së dhe OShC-ve u themelua në vitin 2022 me synim krijimin e një dialogu gjithëpërfshirës dhe shërben si platformë diskutimi për të drejtat e njeriut në vend.

Avokati i Popullit tha se plani i veprimit përfshinë shumë fusha të punës së përbashkët me organizatat jo-qeveritare ndërsa nënvizoi sfidat e tyre, e në veçanti të mungesës së mbështetjes financiare, e cila po krijon pengesa në realizimin e shërbimeve profesionale që ato ofrojnë për komunitete dhe grupe tjera të margjinalizuara.

Ai shtoi se ‘duhet të fokusohemi që të rrisim vetëdijen e institucioneve publike se organizatat e shoqërisë civile janë aty për të mbështetur punën e tyre, e jo për të ndikuar negativisht në të’. Ai tha se situata e të drejtave të njeriut në shumë fusha ka ndryshuar për të mirë me angazhimin e përbashkët të IAP-së dhe OShC-ve.

Avokati i Popullit theksoi se funksioni i tij nuk është me qëllim të sigurimit të fondeve për OShC-të por për fuqizimin e tyre dhe si rrjedhojë realizimi i mandatit të tij është më i suksesshëm kur organizatat jo-qeveritare janë të qëndrueshme dhe të fuqishme.

Plani i veprimit për vitin 2026/2027 i Forumit për Dialog mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile përfshinë disa tema si “Fuqizimi i OShC-ve nëpërmjet mbështetjes institucionale dhe organizatave ndërkombëtare” dhe për qëllim ka rritjen e financimit të OShC-ve në Kosovë, nga Ministritë dhe Komunat, në kuadër të realizimit të shërbimeve profesionale dhe të posaçme të cilat i ofrojnë OShC-të.

Tema tjera përfshijnë: Fuqizimi i bashkëpunimit të Forumit për Dialog me institucione dhe komisionet përkatëse parlamentare; mbrojtja e mjedisit; Shëndeti mendor; Të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve; Mbrojtja nga familje dhe dhuna në baza gjinore; Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara; Të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ e të tjera.

Përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare ofruan komente dhe sugjerime në lidhje me planin e veprimit si dhe u kanë bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtar që të rishikojnë prioritetet në programet e tyre.

Ndërsa, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, si zyra e komisionierit për të drejtat e njeriut të OKB-së, ekipi i agjencive të OKB-së në Kosovë, OSBE, Këshilli i Evropës, theksuan se në programet e tyre përfshihen disa nga temat e prezantuara nga Plani i Veprimit dhe do të vazhdojnë të mbështesin organizatat në punën e tyre.

Avokati i Popullit në fund theksoi se do të organizohet një tjetër takim i Forumit në shtator ku së bashku me OShC-të do ftojnë donatorët ndërkombëtare si dhe institucionet vendore.