Featured Image

Avokati i Popullit diskutoi të drejtat e fëmijëve me Asamblenë e Fëmijëve të Kryeqytetit

01/06/2026

Prishtinë, 1 qershor 2026 – Avokati i Popullit priti në takim përfaqësues nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), në bashkëpunim me Asamblenë e Fëmijëve të Kryeqytetit, me qëllim promovimin e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet fëmijëve dhe institucioneve.

Gjatë takimit u diskutuan çështje që lidhen me mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në shkolla, mekanizmat e raportimit të dhunës, dhunën online dhe krijimin e mjediseve të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët.

Ky takim ishte veçanërisht i rëndësishëm për avancimin e së drejtës së fëmijëve për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në jetën e tyre, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson se fëmijët nuk duhet të jenë vetëm përfitues të politikave dhe vendimeve publike, por pjesëmarrës aktivë në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e tyre.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, duke mbështetur nisma që fuqizojnë zërin e tyre dhe sigurojnë përfshirjen kuptimplotë të tyre në çështjet që i prekin drejtpërdrejt.