Featured Image

Fjalimi i Avokatit të Popullit, Naim Qelaj me rastin e prezantimit të raportit “Shqyrtimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës”

30/04/2026

Fjalimi i Avokatit të Popullit, Naim Qelaj me rastin e prezantimit të raportit “Shqyrtimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës”

30 prill 2026

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, nga viti 2021 në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime në drejtim të sqarimit dhe informimit lidhur me veprimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), dhe kushtet me të cilat mbahen të paraburgosurit në DhSK. Me këtë rast, Avokati i Popullit ka angazhuar një organizatë të pavarur “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), për të hartuar një shqyrtim paraprak për DhSK-në si rezultat i shqetësimeve serioze dhe të vazhdueshme të Avokatit të Popullit lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore pranë DhSK-Së. Shqetësimet fillestare janë ngritur qysh në raportin e Avokatit të Popullit të vitit 2021 dhe janë artikuluar edhe nga vetë të akuzuarit, si dhe nga vizitat që Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka realizuar në qendrat e paraburgimit në Hagë.

Më tej, gjatë një takimi me Kryetaren e Gjykatës, znj. Ekaterina Trendafilova, në maj 2025, janë adresuar një sërë çështjesh, të cilat pasqyrohen edhe në këtë raport, por për të cilat nuk është marrë ndonjë përgjigje apo sqarim institucional. Pas këtij takimi janë zhvilluar vizita në objektet e gjykatës dhe në ato të paraburgimit, janë takuar përfaqësues teknikë të gjykatës, ekipi i mbrojtjes dhe të paraburgosurit, si dhe janë monitoruar dy seanca gjyqësore. Duke konstatuar shqetësime serioze, janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm nëpërmjet komunikimeve zyrtare drejtuar Kryetares së Gjykatës, Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Dy të parat kanë kthyer përgjigje dhe sqarime të mjaftueshme, ndërsa gjykata ka qëndruar e heshtur.

Në mungesë të sqarimeve dhe përgjigjeve lidhur me shqetësimet e ngritura, është angazhuar një organizatë e pavarur, neutrale dhe profesionale për të kryer një vlerësim preliminar të çështjeve të identifikuara. Përzgjedhja e organizatës është bërë duke marrë parasysh kriteret që garantojnë ekspertizë profesionale, paanshmëri dhe integritet. Procesi i vlerësimit është zhvilluar në koordinim procedural, pa asnjë ndërhyrje në përmbajtje, metodologji apo analizë, deri në dorëzimin e raportit përfundimtar.

Ky raport përbën një “Shqyrtim Paraprak” dhe nuk ka për qëllim të mbulojë gamën e gjerë të konsideratave të të drejtave të njeriut, siç ato manifestohen në procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Përkundrazi, ai i përgjigjet çështjeve specifike të identifikuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës për shqyrtim, përkatësisht në lidhje me:

–           lirimin e përkohshëm dhe paraburgimin para gjykimit

–           pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës

–           pranueshmërinë dhe besueshmërinë e provave

–           barazinë e armëve ndërmjet mbrojtjes dhe prokurorisë

–           parimin e ligjshmërisë, dhe

–           llogaridhënien institucionale të DhSK-së.

Raporti konfirmon se shqetësimet e ngritura janë substanciale dhe mjaftueshëm serioze për të justifikuar shqyrtim të mëtejshëm institucional. Në mënyrë të veçantë, raporti konstaton se mandati i DhSK-së ka pësuar devijim nga qëllimi fillestar dhe nga fryma e pretenduar në Raportin e Këshillit të Evropës (“Mandati i DhSK-së ka pësuar ndryshim” – pika 26).

Për sa i përket çështjes së paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të përkohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare dhe profesionale. Raporti konstaton se “lirimi në Holandë, ku zhvillohen procedurat penale, nuk është i mundur” (pika 53), duke krijuar një pengesë strukturore që rëndon pozitën e të akuzuarve. Gjithashtu, mbikëqyrja sistematike e komunikimeve ngre shqetësime në raport me nenin 8 të KEDNj-së, pasi “mbikëqyrja sistematike për qëllime të tjera përbën ndërhyrje në nenin 8” (pika 57). Në përfundim, raporti vlerëson se kjo kornizë krijon dyshime serioze për pajtueshmëri me nenin 5 të KEDNj-së dhe nenin 9 të KNDCP-së (pika 61).

Lidhur me juridiksionin, llogaridhënien dhe transparencën institucionale, raporti ngre shqetësime serioze mbi mungesën e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional. Evidentohet një boshllëk normativ dhe procedural në raport me llogaridhënien e DhSK-së ndaj shteteve financuese dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe mungesa e mekanizmave të brendshëm që sigurojnë transparencë efektive, edhe në rastet e pretendimeve për shkelje të të drejtave themelore. Raporti thekson se kombinimi i kompetencave të gjera dhe mungesa e mjeteve procedurale për kundërshtim krijojnë “boshllëk në kornizën rregullative” (pika 100).

Për sa i përket standardit të gjykatës kompetente, të pavarur, të paanshme dhe të themeluar me ligj, raporti identifikon shqetësime të konsiderueshme lidhur me mënyrën e emërimit dhe përbërjes së trupave gjykues. Raporti konstaton se Kryetarja gëzon “diskrecion të konsiderueshëm për të formuar Panelet” (pika 74), gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë, veçanërisht në nivel apelimi. Më tej, raporti evidenton shqetësime lidhur me konsultimet ndërinstitucionale të parapara në Rregullën 12 (pikat 76–77), si dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e DhSK-së në raport me të drejtën dhe praktikën vendore (“Përbërja ekskluzivisht ndërkombëtare vë në pikëpyetje kompetencën” – pika 106).

Raporti trajton me shqetësim të veçantë çështjet që lidhen me integritetin procedural dhe perceptimin e paanshmërisë, pas pjesëmarrjes së Kryetares, Prokurorit të Specializuar dhe Administratorit në një informim diplomatik të zhvilluar pa dijeninë e mbrojtjes (pika 83). Raporti evidenton se deklaratat atribuuar Prokurorit, përfshirë parashikime mbi dënime me burgim të përjetshëm dhe kundërshtim të lirimit të përkohshëm, mbeten të pakundërshtuara (“Deklaratat […] mbeten të pakundërshtuara” – pika 101). Këto rrethana, sipas raportit, ngrenë shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë, por edhe për integritetin e procesit të lirimit të përkohshëm (pika 102), si dhe për mungesën e transparencës procedurale (pika 103).

Në raport me pranueshmërinë e provave, veçanërisht të provave të siguruara nga Serbia, raporti evidenton pasiguri të konsiderueshme juridike. Qasja e pranimit të përkohshëm të provave dhe shtyrjes së vlerësimit përfundimtar deri në aktgjykim përshkruhet si burim potencial i padrejtësisë procedurale dhe pasigurisë për palët (“Burim i pasigurisë së konsiderueshme dhe potencialisht të padrejtësisë” – pika 115). Për sa u përket provave me origjinë nga Serbia, raporti konstaton mungesë serioze transparence, pasi kërkesat e mbrojtjes për qasje dhe zbulim mbi origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik (“Mungesa e çfarëdo vendimi të publikuar përbën në vetvete shqetësim për transparencën” – pika 138).

Lidhur me parimin e barazisë së armëve, raporti identifikon shqetësime paraprake që prekin efektivitetin e mbrojtjes, përfshirë kufizimet në vizitat e privilegjuara, mungesën e kohës dhe hapësirës adekuate për përgatitje, zbulimin e vonuar dhe të pjesshëm të provave, procedurat penale paralele dhe ndryshimet e njëanshme në sistemin e ndihmës juridike. Raporti vlerëson se këto elemente përbëjnë indikatorë seriozë që kërkojnë analizë të mëtejshme, ndonëse në këtë fazë nuk mund të konkludohet përfundimisht për shkelje konkrete (“Nuk mund të mbështesin një konstatim për shkelje […] në këtë fazë” – pika 148).

Lidhur me parimin e ligjshmërisë, raporti ngre shqetësime lidhur me përdorimin e normave dhe standardeve të derivuara nga Statuti i Romës, i miratuar pas periudhës së juridiksionit kohor të DhSK-së. Raporti thekson se mbështetja në burime juridike pas periudhës relevante “rrezikon të çojë në interpretim të së drejtës zakonore ndërkombëtare në mospërputhje kohore” (pika 176). Për këtë arsye, raporti konstaton se ekziston rrezik real që konstrukti normativ i veprave penale të mos jetë plotësisht në harmoni me standardin e ligjshmërisë (“Krijon rrezik […] të papajtueshmërisë” – pika 209).

Në përfundim, raporti thekson se ky dokument përbën një vlerësim paraprak dhe jo një konstatim përfundimtar, por evidenton një sërë shqetësimesh serioze dhe të dokumentuara që nuk mund të shpërfillen. Raporti nënvizon se standardi relevant i vlerësimit duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe KEDNj-ja, e jo praktikat potencialisht problematike të tribunaleve të tjera ndërkombëtare. Për këtë arsye, BHRC-ja rekomandon krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm, të pavarur dhe të financuar në mënyrë adekuate për monitorimin e vazhdueshëm të proceseve gjyqësore pranë DhSK-së, duke theksuar se besueshmëria dhe legjitimiteti institucional kërkojnë mbikëqyrje të jashtme efektive.

Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC) është një organizatë e pavarur juridike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar e lidhur me profesionin e avokatit në Angli dhe Wales.

Duke marrë parasysh autoritetin, integritetin profesional dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Bar Human Rights Committee of England and Wales, si dhe natyrën e pavarur dhe të dokumentuar të këtij vlerësimi preliminar, raporti bart peshë të konsiderueshme juridike dhe institucionale, pasi identifikon shqetësime serioze që prekin drejtpërdrejt standardet themelore të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë sipas nenit 6 të KEDNj-së, të drejtën për liri dhe siguri, mbrojtjen e lirisë, respektimin e jetës private dhe familjare, si dhe efektivitetin e mbrojtjes juridike.

Edhe pse raporti nuk nxjerr konstatime përfundimtare për shkelje konkrete, niveli dhe natyra e shqetësimeve të identifikuara krijojnë rrezik real për cenim sistematik të këtyre të drejtave dhe kërkojnë trajtim urgjent institucional. Mesazhi kryesor që rrjedh nga raporti është nevoja për forcim të menjëhershëm të transparencës, llogaridhënies dhe mekanizmave të mbikëqyrjes së pavarur, me qëllim parandalimin e rrezikut që mangësitë procedurale apo strukturore të cenojnë legjitimitetin e procesit gjyqësor.

Në këtë kuadër, Avokati i Popullit duhet të vazhdojë angazhimin për shqyrtim të mëtejshëm të çështjeve që, për shkak të kompleksitetit, kohëzgjatjes dhe volumit procedural, nuk kanë mundur të trajtohen plotësisht në këtë fazë preliminare, përfshirë monitorim të vazhdueshëm dhe analiza tematike shtesë.

Njëkohësisht, autoritetet vendore kanë obligim institucional dhe kushtetues që, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, t’i adresojnë këto gjetje nëpërmjet angazhimit aktiv institucional, nxitjes së mekanizmave të monitorimit të pavarur dhe kërkimit të standardeve të plota të pajtueshmërisë me Kushtetutën e Kosovës me dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Raporti i plotë gjendet këtu https://bit.ly/3ODcUqd