Avokati i Popullit diskuton për të drejtat në punësim të personave me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 23 prill 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj mori pjesë në një tryezë në Mitrovicë ku u diskutua për sfidat e punësimit të personave me aftësi të kufizuara në këtë qytet dhe të gjeturat e një raporti për këtë çështje e përpiluar nga organizata jo-qeveritare “Reconciliation Empowering Communities” (REC).
Në fjalën e tij hyrëse, z. Qelaj theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë disa hulumtime që prekin komunitetin e personave me aftësi të kufizuara dhe se mbesin shumë sfida përpara për të ofruar mbështetje të cilat u takojnë me ligje.
Ai tha se ka bërë vlerёsimin e situatёs sё arsimimit dhe të aftёsimit gjithpёrfshirёs tё personave me aftёsi tё kufizuara, pёr qasje dhe konkurrim nё tregun e punёs. Ai shtoi se janë bërë vlerësimet e mundёsive dhe vështirësive tё cilat personat me aftёsi tё kufizuara i hasin, duke synuar qё tё vlerёsojё sistemin arsimor për pёrgatitjen e tyre qё tё jenё tё pavarur pёr t’iu qasur tregut tё punёs.
Z. Qelaj theksoi se duhet të punohet shumë në Qendrat Burimore dhe shkollat speciale në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të jenë të gatshëm për tregun e punës. Ai shtoi se i mbetet institucioneve lokale dhe qendrore të respektojnë ligjet për të drejtat që u takojnë personave me aftësi të kufizuara, siç është obligimi për punësimin e personave me aftësi të kufizuar e parashikuar me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i REC, z. Lulzim Hakaj paraqiti të gjeturat e raportit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara në komunën e Mitrovicës së Jugut, duke theksuar se përfshirja në punësim ekziston por mbetet e kufizuar dhe e pabarabartë.
Sipas raportit, nga të dhënat komunale del se aktualisht 11 persona me aftësi të kufizuara janë të punësuar në institucione publike në Mitrovicë të Jugut, kryesisht në administratë, arsim dhe kujdes shëndetësor parësor.
Raporti cek se ky nivel i punësimit nuk duket se rezulton nga zbatimi sistematik i kuotës të përcaktuar me ligj i cili thekson 1 i punësuar me aftësi të kufizuara për çdo 50 të punësuar. Po ashtu, në raport theksohet boshllëku i cili qëndron te zbatimi, ku nuk ka sistem të përcjelljes dhe nuk ka llogaridhënie.