Avokati i Popullit i Shqipërisë Endrit Shabani vizitoi Kosovën
Prishtinë, 7 prill 2026 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj priti në takim homologun e tij nga Tirana, z. Endrit Shabani me bashkëpunëtorë, në vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës.
Z. Naim Qelaj vlerësoi këtë vizitë si një hap të rëndësishëm për vazhdimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe për avancimin e përbashkët të standardeve të të drejtave të njeriut.
Gjatë takimit, dy homologët diskutuan për gjendjen e të drejtave të njeriut në të dy vendet, sfidat me të cilat përballen institucionet, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në veçanti u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në trajtimin e ankesave të qytetarëve, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimin e rolit të institucioneve të pavarura.
Nga ana e tij, Z. Shabani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy institucioneve, duke theksuar se shkëmbimi i përvojave dhe koordinimi në çështje me interes të përbashkët kontribuon në forcimin e rolit të institucioneve të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë i shoqëruar nga z. Qelaj u takua edhe me Kryetaren e Kuvendit dhe Ushtruesen e Detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu dhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi.