Shënohet Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin
Prishtinë, 2 prill 2026 – Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëorganizim me organizatën jo-qeveritare “Hareja” organizuan një tryezë të rrumbullakët me rastin e shënimit të ditës botërore për ndërgjegjësimin për autizmin, e mbajtur në Rahovec
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues nga institucionet komunale dhe regjionale, respektivisht nga institucionet shëndetësore, arsimore dhe sociale, për të diskutuar rolin e secilit institucion në ofrimin e shërbimeve për personat me Autizëm dhe Down Syndrome, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.
Në fjalën e tij hyrëse, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj tha se këto dy kategori e qytetarëve ballafaqohen me vështirësi në marrjen e shërbimeve dhe realizimin e të drejtave që i gëzojnë. Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar këto çështje duke nxjerrë raporte me rekomandime për autoritetet që lidhen me mungesën e shërbimeve dhe respektimin e të drejtave të cilat u takojnë me ligj.
Ai shtoi se autoritetet përgjegjëse duhet të angazhohen më shumë duke ofruar përkujdesje dhe mbështetje financiare për familjet dhe fëmijët.
Drejtoresha e organizatës “Hareja”, znj. Adelina Paqarizi tha se përballen me sfida të shumta në punën e tyre të përditshme me personat me Autizëm dhe Down Sindrome, duke shtuar se koordinimi institucional është i domosdoshëm për tejkalimin e tyre.
Në prezantimin e radhës u theksua se në Kosove janë rreth 2500 fëmijë me autizëm, ndërsa mbi 40 persona trajtohen në organizatën ‘Hareja’, disa prej të cilëve shërbimet i marrin nga distanca. Si sfida u cekën identifikimi i vonshëm, shërbime terapeutike të pamjaftueshme dhe mbështetje e pamjaftueshme institucionale, si mungesa në asistencë dhe edukim të mirëfilltë.
Pjesëmarrësit, ndër të tjera, theksuan se ekziston stigma ndaj personave me autizëm dhe down syndrome, dhe se duhet bërë fushata ndërgjegjësimi. Po ashtu, u theksua se mungon asistenca për këta persona nëpër shkolla të rregullta. Po ashtu, u tha se personat me aftësi të kufizuar në këtë komunë po ashtu përballen me mosqasje të duhur në infrastrukturë gjë që vështirëson shumë lëvizjen e tyre.
Përfaqësuesit e sektorit të shëndetësisë theksuan se është duke u hartuar një strategji e re që do të përcaktojë numrin e mjekëve për çdo 3000 banorë, e të cilët e kanë për obligim identifikimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve tek pacientët që rezulton edhe me identifikim të këtyre sëmundjeve apo çrregullimeve dhe trajtimin e hershëm të tyre.
Po ashtu, u propozua edhe krijimi i dhomave burimore nëpër shkolla për të rritur kreativitetin e këtyre personave, ngase interesimi i tyre ne klasa normale është më i ultë.