Institucioni i Avokatit të Popullit mori pjesë në Takimin vjetor të Aleancës Botërore të IKDNJ-ve
Gjenevë, 1 prill 2026 – Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës, nga 30 mars – 1 prill 2026, u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Institucioneve Nacionale të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) GANHRI 2026, bashkë organizuar me Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).
Mbi 90 IKDNJ diskutuan prioritetet lidhur me të Drejtat e Njeriut për vitin 2026 dhe për veprimet që forcojnë Aleancën Globale të IKDNJ-ve.
Kryetarja e GANHRI, znj. Amina Bouayac, ka theksuar në fjalën e saj se Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë digjitale po e transformojnë botën me shpejtësi që mund të sfidojnë aftësinë e mbrojtësve të të drejtave të njeriut për t’u përgjigjur. Duke ju referuar Asamblesë së GANHRI-t dhe Konferencës vjetore e aktiviteteve tjera përcjellëse brenda kornizave të kësaj ngjarjeje, ajo theksoi se këto takime shërbejnë për të siguruar që IKDNJ-të janë të përgatitura për të kontribuar dhe për të udhëhequr reagimin e nevojshëm dhe të duhur.
Në sesionin e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive, diskutimet u përqëndruan në të drejtat e njerëzve në lëvizje dhe punën kritike të IKDNJ-ve për t’i mbrojtur ato. Theksi kryesisht u vu në monitorimin e pavarur, paralajmërimin e hershëm dhe llogaridhënien në kontekstet e tranzitit dhe kufirit, si dhe përfshirjen dhe qasjen në kujdes shëndetësor, arsim, strehim, mbrojtje sociale dhe punë të denjë.
Asamblenë e Përgjithshme të GANHRI-t e ka pasuar Konferenca vjetore, e cila në fokus kishte temën “Roli i IKDNJ-ve në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në hapësirë digjitale”.
Në korniza të takimit vjetor të GANHRI-t, sikur në praktikën e zakonshme, është zhvilluar edhe takimi i Byrosë së GANHRI-t, si dhe takimet e rrjeteve regjionale të IKDNj-ve që mbulojnë Azinë e Paqësorit, Afrikën, Amerikën dhe Evropën.
Duhet theksuar se në takimin e vet, Rrjeti Evropian i IKDNJ-ve (ENNHRI), ka miratuar Deklaratë të veçantë lidhur me Deklaratën Politike për Migracionin të Këshillit të Evropës (shih më shumë në: https://bit.ly/4cexJRD
Në takimin vjetor të GANHRI-t, në të cilin mori pjesë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës, anëtarët, partnerët dhe vëzhguesit e kësaj organizate ndërkombëtare globale, e cila vepron nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, kanë mundësinë që të reflektojnë mbi punën dhe të vlerësojnë progresin, mësimet e nxjerra nga përvoja, si dhe çështje të tjera të të drejtave të njeriut, në kontekste komplekse, me theks në zhvillimet çfarë aktualisht po kalon bota sot.