U mbajt tryeza “Ndikimi i korrupsionit në të drejtat e njeriut”
Prishtinë, 24 mars 2026 – Avokati i Popullit organizoi një tryezë me temë “”Ndikimi i korrupsionit në të drejtat e njeriut” dhe i diskutoi të gjeturat e një hulumtimi me përfaqësues të institucioneve të vendit si dhe me organizata të shoqërisë civile.
Avokati i Popullit theksoi se ka zhvilluar një anketë me 1,040 qytetarë, nga të gjitha komunat e vendit, me qëllim që të kuptohet më qartë ndërlidhja e korrupsionit me të drejtat e njeriut në Kosovë, se si definohet korrupsioni, cilat fusha perceptohen si më të ekspozuara dhe si ndikon ai në të drejtat themelore të njeriut.
Shumica dërmuese e të anketuarve e identifikojnë korrupsionin si një shkelje të besimit publik dhe një formë abuzimi të pozitës zyrtare, pavarësisht nëse ai manifestohet përmes ryshfeteve të vogla në jetën e përditshme apo deri te ndërhyrjet në nivele të larta në politikë dhe administrata.
Aspektet ku korrupsioni perceptohet se ka ndikimin më të madh negativ është sistemi gjyqësor (75.9 për qind) dhe ai shëndetësor (75.8 për qind). Arsimi renditet i treti (73.1 për qind) duke sinjalizuar shqetësime të thella se praktikat e ryshfetit ose favorizimit në shkollim që po minojnë barazinë në qasje dhe cilësinë e arsimit.
Në mënyrë të ngjashme, praktikat e nepotizmit dhe ndërhyrjet politike – punësimi i të afërmve përmes lidhjeve apo financimi i fushatave partiake – u konsideruan të dyja si forma të qarta të korrupsionit nga mbi 85 për qind e të anketuarve.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se korrupsioni nuk prek vetëm të drejtat e njeriut, por edhe sundimin e ligjit dhe barazinë para ligjit, që prek deri tek dinjiteti i njeriut që është pjesa më përmbajtësore e të drejtave të njeriut.
Hulumtimi është kryer nga Instituti Riinvest me përkrahje nga GIZ-i dhe do të jetë pjesë e një raporti më të gjerë të Avokatit të Popullit.