Avokati i Popullit mbajti tryezë diskutimi për trajtimin e personave me çrregullime mendore në shërbimin e kujdesit shëndetësor dytësor
Prishtinë, 27 shkurt 2026 – Avokati i Popullit mbajti tryezë diskutimi me temë “Trajtimi i personave me çrregullime mendore në shërbimin e kujdesit shëndetësor dytësor me fokus në departamentet psikiatrike regjionale”.
Pas vizitave në terren në departamentet psikiatrike të spitaleve rajonale në Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë, Avokati i Popullit i ka ftuar përfaqësuesit nga Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfaqësues të institucioneve të shëndetit mendorë, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare, për të diskutuar për çështjet e identifikuara nga Avokati i Popullit, si dhe sfidat me të cilat përballen institucionet e shëndetit mendor në trajtimin e këtyre rasteve.
Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, prezantoi të gjeturat të cilat kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të personave me çrregullime mendore; kushtet e trajtimit të pacientëve psikiatrik; rastet e referuara me urdhër të gjykatave; e drejta e ankesës së pacientëve, etj.
Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj theksoi se personat me çrregullime mendore, si kategori specifike, duhet të trajtohen me dinjitet dhe të respektohen të drejtat e tyre në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.
Ai shtoi se ekzistojnë boshllëqe të shumta në legjislacionin vendor, të cilat i ka adresuar përmes raporteve me rekomandime, duke i vënë theks edhe kushteve të trajtimit dhe trajtimit të pavullnetshëm.
Pjesëmarrësit e ftuar diskutuan për sfidat me të cilën po ballafaqohen si mungesa e barnave nga lista esenciale, trajtimi i pavullnetshëm, stigmatizimi i personave me probleme të shëndetit mendor, trajtimi i personave me urdhër të gjykatave që qëndrojnë shumë gjatë nëpër reparte psikiatrike, kushtet e trajtimit të pacientëve në departamente psikiatrike në regjione dhe ranë dakord për gjetjet në përgjithësi të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT).
Tryeza ka synuar të tërheqë vëmendjen dhe të rrisë vetëdijen, në veçanti të autoriteteve përgjegjëse, për ndjeshmërinë që mbart shëndeti mendor dhe për nevojën e trajtimit me dinjitet dhe të përshtatshëm të personave të prekur nga çrregullimet mendore.