Featured Image

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës vizitoi IAP-në

11/02/2026

Prishtinë, 11 shkurt 2025 – Zëvendës Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati dhe drejtoresha e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës, znj. Shqipe Mala me bashkëpunëtorë, pritën në takim një delegacion të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), të udhëhequr nga z. Victor Zaharia.

Delegacioni i CPT-së u njoftua për punën e MKPT-së për vizitat e rregullta në të gjitha vendet e privimit nga liria, duke përfshirë ndalimin policor, paraburgimin, burgjet, objektet e paraburgimit, si dhe për vizitat në çdo hapësirë tjetër ku mbahen personat e privuar nga liria.

Të pranishmit u njoftuan për situatën e respektimit të personave të privuar nga liria si dhe për zbatimin e rekomandimeve të CPT-së që u dhanë pas vizitës së fundit më 2020. Po ashtu, në takim u theksua organizimi i dy tryezave nga Avokati i Popullit dhe MKPT në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, në lidhje me rekomandimet e CPT-së, ku u diskutua me autoritetet e vendit për të arriturat si dhe sfidat në zbatimin e tyre.

Delegacioni u interesua për punën e policisë, situatën e shëndetit mendor, kujdesit social, respektimin e të drejtave të të huajve, konfidencialitetin e intervistave të zhvilluara me të privuarit nga liria pa prezencën e zyrtarëve policor dhe korrektues.

Delegacioni i CPT-së është duke e vizituar Republikën e Kosovës me qëllim të vlerësimit të respektimit të të drejtave themelore të njeriut të personave të privuar nga liria e tyre. CPT është një mekanizëm monitorues i Këshillit të Evropës i cili monitoron zbatimin e Konventës Evropiane Kundër Torturës në Evropë.