Featured Image

Avokati i Popullit paraqiti punën një vjeçare para mediave

23/12/2025

Prishtinë, 23 dhjetor 2025 – Në konferencën vjetore me media, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj prezantoi raportimin vjetor me statistikat preliminare dhe vlerësoi situatën e të drejtave të njeriut në vend.

Avokati i Popullit theksoi se 2025-ta ka qenë një vit me sfida kryesisht për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve, e në veçanti të Kuvendit të Kosovës, si dhe me proceset zgjedhore që karakterizuan tërë vitin dhe si rrjedhojë vëmendja ndaj të drejtave të njeriut ishte e shpërqendruar nga institucionet e shtetit.

Avokati i Popullit shtoi se Institucioni ka dal me disa raporte me rekomandime që përfshijnë të drejtat e fëmijëve dhe janë trajtuar temat si pesha e rëndë e çantave shkollore të fëmijëve, dhuna në shkolla dhe shëndeti mendor i fëmijëve.

Z. Qelaj foli edhe për raporte të hetuara sipas detyrës zyrtare në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe janë dhënë rekomandime për autoritetet përgjegjëse kur bëhet fjalë për mohimin e të drejtës në reduktimin e tarifave të energjisë elektrike për personat paraplegjik, tetraplegjik dhe personat e verbër; lidhur me cenimin e së drejtës së fëmijës për shkollim – mosangazhim të asistentit për fëmijën me aftësi të kufizuara; raporti tjetër ka trajtuar çështjen e arsimimit dhe aftësimin gjithëpërfshirës tё personave me aftësi të kufizuara pёr qasjen në tregun e punës.

Avokati i Popullit veçoi edhe angazhimin në marrëdhëniet ndërkombëtare ku sivjet IAP është bërë anëtar i Bordit Ekzekutiv të Rrjetit Evropian të Trupave të Barazisë (EQUINET) dhe anëtar i Bordit Drejtues të Asociacionit të Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM).

Avokati i Popullit po ashtu diskutoi tema të tjera si çështja e energjisë elektrike, vizita e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, të drejtat e komuniteteve dhe tema të tjera.

Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 1,669 ankesa, me gjithsejtë 2,687 qytetarë të përfshirë në këto ankesa. Nga ky numër i ankesave, 591 raste janë hapur për hetime ndërsa 40 raste janë hapur sipas detyrës zyrtare. IAP ka nisur hetime në 15 raste bazuar nga raportimet e mediave.

Qytetarët më së shumti janë ankuar në lidhje me të drejtën për mjete juridike (203 raste), pastaj e drejta për gjykim të drejtë e të paanshëm (122), 88 ankesa janë bërë në lidhje me të drejtën e barazisë para ligjit, 66 ankesa janë bërë për të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, në 53 raste qytetarët janë ankuar në lidhje me shkeljen e të drejtës së pronës dhe 41 ankesa janë parashtruar në lidhje me të drejtën për mbrojtje shëndetësore dhe sociale.

Autoritetet përgjegjëse ndaj të cilave janë drejtuar ankesat (një ankesë mund të ketë më shumë se një pale përgjegjëse) janë: Ministritë/administrata me 680 raste, Gjykatat me 353 raste, Komunat me 254 raste, Policia e Kosovës me 117 raste e të tjera.

Numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura nga IAP gjatë vitit 2025 (përfshirë edhe rastet e regjistruara më herët e të mbyllura gjatë këtij viti) është 689. Nga kjo shifër, 253 janë zgjedhur pozitivisht, 180 raste kanë qenë të papranueshme sepse nuk është gjetur shkelje apo keqadministrim, 44 raste të papranueshme sepse rastet kanë qenë në shfrytëzim të mjeteve juridike, 106 raste janë mbyllur me raport, 31 të papranueshme, mos shfrytëzim i mjeteve juridike; 63 raste janë mbyllur për shkak të mosinteresimit të ankuesit, dështim i palës; dhe 12 raste tjera kanë qenë të papranueshme për shkak se rastet kanë qenë jashtë juridiksionit.

Për vitin 2025, Avokati i Popullit ka nxjerrë 678 rekomandime, prej të cilave vetëm 18 për qind janë zbatuar nga ana e institucioneve publike; rekomandime të pazbatuara janë 1 për qind; Rekomandime pjesërisht të zbatuara janë 3 për qind, ndërsa në pritje për zbatim mbesin 78 për qind e rekomandimeve.