Reagim i Avokatit të Popullit lidhur me vendimarrjen e KQZ-së për të mosakredituar një numër mediash për të përcjellë Zgjedhjet lokale
20/12/2025
Prishtinë, 10 tetor 2025 – Avokati i Popullit është duke përcjellë me vëmendje situatën e krijuar pas vendimeve të KQZ-së për të mos akredituar një numër mediash, për të përcjellë procesin zgjedhor të Zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.
Duke e njohur rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që përçojnë vullnetin politik të qytetarëve dhe garantojnë përfaqësimin demokratik, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, që bazohen mes të tjerash në parimet e lirisë, barazisë, respketimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe mosdiskriminimit.
Me theks të veçantë, sjell në mendje rëndësinë dhe rolin kyç që ka media dhe pluralizmi medial, në informimin e opinionit publik dhe transparencën e gjithë procesit zgjedhor.
Avokati i Popullit inkurajon palët e prekura nga vendimarrja e KQZ-së, të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion, përderisa njofton se ka hapur hetime sipas detyrës zyrtare, lidhur me çështjen në fjalë.
Zëshëm, rikujton autoritete se pa proces zgjedhor që respekton standardet e demokracisë, nuk mund të ketë respekt të vërtetë të të drejtave të njeriut, ashtu sikurse pa respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të pranueshme e të besueshme.