Avokati i Popullit dorëzoi raportin e dytë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi
Prishtinë, 10 dhjetor 2025 – Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës raportin për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi (LMD) për vitin 2024.
Sa i përket zbatimit të LMD-së nga autoritetet përkatëse, raporti ka shpërfaq faktin se edhe përkundër që disa institucione kanë krijuar mekanizma për mbrojtje nga diskriminimi, situata mbetet e fragmentuar. Shumica e institucioneve nuk mbajnë regjistra të veçantë për rastet e diskriminimit, nuk kanë mekanizma funksionalë dhe nuk publikojnë informacione në faqet zyrtare për raportimin e ankesave te Avokati i Popullit.
Rastet e raportuara gjatë vitit 2024 janë të pakta dhe shpesh trajtohen pa standarde të qarta. Për më tepër, shumica e rekomandimeve nga Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2023 nuk janë zbatuar, përfshirë krijimin e sistemit të mbledhjes së të dhënave, funksionalizimin e njësive të mbrojtjes nga diskriminimi dhe trajnimin e personelit.
Duke u bazuar në ankesat e pranuara dhe të hetuara gjatë vitit 2024, Avokati i Popullit konstaton se diskriminimi në Kosovë mbetet i përhapur. Raste të shumta lidhen me diskriminimin mbi bazën e moshës, sidomos ndaj personave të moshuar që përballen me kufizime në shërbimet shëndetësore dhe sociale. Në punësim vazhdojnë problemet me mungesën e transparencës, trajtimin e pabarabartë dhe ndërprerjen e paligjshme të marrëdhënies së punës. Pabarazitë gjinore mbesin të theksuara, si në përfaqësim në pozita vendimmarrëse, ashtu edhe në të drejtat pronësore dhe trashëgimore të grave. Komunitetet jo shumicë vazhdojnë të jenë të nën përfaqësuara në sektorin publik, ndërsa personat me aftësi të kufizuara përballen me barriera të shumta në qasje në shërbime publike, punësim dhe mbështetje shëndetësore.
Gjetjet identifikojnë mangësi edhe në sektorin e shëndetësisë, përfshirë mungesën e barnave esenciale dhe të Sistemit Informativ Shëndetësor. Janë evidentuar raste të diskriminimit fetar, mos përfshirje adekuate të personave LGBTIQ+ dhe mungesë e masave mbrojtëse për viktimat e dhunës, veçanërisht gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Në përgjithësi, Avokati i Popullit vëren barriera sistematike dhe praktika diskriminuese që kërkojnë ndërhyrje të qëndrueshme nga ana e autoriteteve.
Avokati i Popullit rithekson obligimin që të gjitha institucionet publike të hartojnë plane veprimi dhe të funksionalizojnë mekanizmat për mbrojtje nga diskriminimi, të qartësohen kompetencat e autoriteteve përkatëse gjatë ndryshimeve të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, të trajnohet personeli, të krijohen dhe mbahen regjistra të standardizuar për rastet e diskriminimit, gjykatat të evidentojnë veçmas këto raste në sistemet e tyre, ndërsa institucionet publike të publikojnë qartë procedurat për paraqitjen e ankesave dhe të rrisin vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje nga diskriminimi.
Ky raport, sikur edhe raporti për vitin 2023 është mbështetur nga zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.