Featured Image

Reagim i Avokatit të Popullit për gjuhën në diskursin publik

05/12/2025

Prishtinë, 5 dhjetor 2025 – Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e thellë për gjuhën që po përdoret në diskursin publik e që ka marrë përmasa të papranueshme e të patolerueshme, veçmas këtyre ditëve.

Gjuha e përdorur së fundmi nga persona publik që mbajnë pozita institucionale bie ndesh me standardet e shoqërive demokratike dhe parimet e etabluara me Kushtetutën e vendit.
Cilësimet fyese e të vrazhda ndaj gazetarëve, përderisa kryejnë punën e tyre, si dhe kualifikimet akuzuese dhe denigruese ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), nga ana e anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor, z. Sami Kurteshi, tejkalojnë kufinjtë e arsyeshëm të sjelljes dhe etikës së personave publik që mbartin përgjegjësi institucionale. Një gjuhë e tillë i shërben një ambienti që shenjëstron, kufizon dhe cenon punën e mediave dhe ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë.
Po ashtu, thellësisht shqetësuese, e papranueshme dhe e dënueshme është gjuha e përdorur nga z. Sami Lushtaku, kryetar i sapo zgjedhur i Komunës së Skenderajt ndaj znj. Adriana Matoshi.
Asnjë lloj reagimi a kundëreagimi, nuk arsyeton atributet poshtëruese dhe disredituese ndaj integritetit personal, moral, gjinor a të cilës do natyrë, kundrejt tjetrit. Sulme të tilla, shpërfaqin mendësi diskriminuese dhe qasje degraduese,jo vetëm për individin që i drejtohen, por për më tepër, deklarimet e tilla, ushqejnë gjuhën e urrejtjes, paragjykimet e pabarazinë gjinore dhe minojnë progresin e arritur me shumë përpjekje, përgjatë viteve, në Republikën e Kosovës.
Avokati i Popullit thekson se kjo gjuhë e përdorur këtyre ditëve, që për fat të keq nuk është për herë të parë dhe as e izoluar vetëm në pak emra të përveçëm, veç asaj që u tha më lartë, paraqet ekzemplar se si mund të keqpërdoret liria e shprehjes dhe se si mund të abuzohet fuqia politike.
Për më tepër, duke e pasur parasysh kontekstin e gjerë të zhvillimeve dhe të proceseve që po na presin, Avokati i Popullit bën thirrje për pjekuri politike, për përmbajtje nga përdorimi i gjuhës degraduese, stgmatizuese dhe të papranueshme. Ashtu si gjithmonë e veçmas në periudha të ndjeshme, është e detyrueshme përgjegjëshmëria e personave publik, me theks e atyre që mbajnë përgjegjësi institucionale, të cilit duhet të jenë promovues të gjuhës së matur, korrekte e tolerante.