Deklaratë e Avokatit të Popullit për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara
Prishtinë, 3 dhjetor 2025 – Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Avokati i Popullit riafirmon përkushtimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve shtetërore në këtë fushë. Kjo ditë na rikujton rëndësinë e përfshirjes, respektimit të diversitetit dhe dinjitetit njerëzor për secilin individ.
Institucionet publike kanë detyrimin ligjor të ndërmarrin masa që sigurojnë trajtim të barabartë dhe eliminim të diskriminimit. Megjithatë, shumë prej këtyre personave vijojnë të përballen me pengesa serioze në qasjen në shërbimet shëndetësore, arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike.
Avokati i Popullit, përmes rekomandimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme, ka kontribuar në ndryshime të rëndësishme, përfshirë rishikimin e procedurave të rivlerësimit mjekësor për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilat më parë kishin qenë në kundërshtim me ligjin. Në vitin 2025, janë rekomanduar gjithashtu ulje të tarifave të energjisë elektrike për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, në pajtim me ligjet përkatëse. Avokati i Popullit ka trajtuar raste që lidhen me të drejtën e votës për persona që me vendime gjyqësore u është hequr pjesërisht zotësia e veprimit dhe nëse këto vendime kanë ndikim në të drejtën për të votuar, si dhe çështje që kanë të bëjnë me qasjen në arsim cilësor për personat e shurdhër.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit mbetet i ulët. Shumë komuna ende nuk sigurojnë qasje të përshtatshme fizike në objektet publike, duke cenuar një të drejtë themelore. Po ashtu, udhëzimet administrative për uljen e tarifave të energjisë elektrike nuk janë miratuar ende.
Edhe pse më 3 gusht 2023 Gjykata Kushtetuese konfirmoi amendamentin kushtetues që parasheh përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, miratimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk ka ndodhur. Ky hap është i domosdoshëm për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe për forcimin e respektit dhe dinjitetin për personat me aftësi të kufizuara.
Avokati i Popullit do të vazhdojë të avokojë në mënyrë të palëkundur që këto të drejta të respektohen dhe të zbatohen në praktikë, duke e konsideruar barazinë dhe përfshirjen vlera thelbësore të një shoqërie demokratike dhe të drejtë.