Avokati i Popullit merr pjesë në lansimin e raportit për shëndet mendor
10/10/2025
Prishtinë, 10 tetor 2025 – Avokati i Popullit, Naim Qelaj dhe Zëvendësi Basri Kastrati morën pjesë në prezantimin e raportit “Shërbimet e shëndetit mendor dhe kujdesit social në Kosovë: Strehimi rezidencial për individët me probleme të shëndetit mendor dhe aftësi të kufizuara psikosociale”. Raportin e publikoi organizata jo-qeveritare Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, QIPS.
Avokati i Popullit theksoi rëndësinë që ka ky takim për faktin se mbahet në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.
Viteve të fundit ka një rritje të interesit për të prekur çështjet që ndërlidhen me shëndetin mendor, megjithatë kërkohet qasje shumë më serioze nga institucionet, duke marrë parasysh faktin se nga hetimet që i ka kryer Avokati i Popullit janë identifikuar shumë mangësi si në legjislacion ashtu edhe te mekanizmat që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor, e që si pasojë kanë mungesën e shërbimeve për ata që kanë nevojë.
Avokati i Popullit po ashtu tha se ka zvarritje qe disa vite në hartimin e ligjit të shëndetit mendor, gjersa ligji i vjetër që është në fuqi në pjesë të madhe nuk mund të zbatohet për shkak se nuk janë nxjerrë aktet administrative.
Ai konstatoi nevojën që personeli që ofron këto shërbime duhe të mbështetet më shumë nga institucionet kompetente për të krijuar kushte të përshtatshme për punë dhe ofrimin e shërbimeve profesionale.
Avokati i Popullit theksoi se pavarësisht sfidave në disa segmente Kosova qëndron më mirë se disa vende të rajonit, duke shtuar se vendi është akoma larg plotësimit të standardeve të BE-së.
Avokati i Popullit vlerësoi punën e organizatës për raportin e pulbikuar duke tërhequr vëmnedjen se është e rëndësisë së veçantë që këto raporte të merren në konsideratë edhe nga institucionet ngase mund t’u shërbej shumë në punën e tyre.